Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Iran dhe që kërkojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes rrugës tokësore nga Turqia, që të vendosen menjëherë në kontakt me Ambasadën e Shqipërisë në Ankara.
Përmes një njoftimi për qytetarët, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se komunikimi me Ambasadën shqiptare në Ankara është i domosdoshëm për të mundësuar asistencën konsullore dhe koordinimin me autoritetet përkatëse turke, sipas udhëzimeve të këtyre të fundit.
Po ashtu Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka vënë në dispozicion edhe kontaktet me Ambasadën e Shqipërisë në Ankara:
Njoftimi për qytetarët shqiptarë në Iran:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në vijim të komunikimeve periodike, këshillon të gjithë shtetasit shqiptarë që aktualisht janë rezidentë apo vizitorë në Iran dhe planifikojnë të udhëtojnë nga Irani drejt Shqipërisë përmes Turqisë nëpërmjet pikave kufitare tokësore (Iran-Turqi), që të vendosen menjëherë në komunikim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Ankara.
Komunikimi paraprak me Ambasadën e RSH-së në Ankara është i rëndësisë së veçantë dhe i domosdoshëm për të mundësuar asistencën konsullore dhe koordinimin me autoritetet përkatëse turke, sipas udhëzimeve të këtyre të fundit.
Për nevoja të tilla dhe për çdo informacion shtesë mund të kontaktoni Ambasadën e RSH-së në Ankara, në numrat:
+90 (534) 080 37 65
+90 (549) 561 19 85
Si dhe përmes Email: [email protected]
MEPJ është në ndjekje të vazhdueshme të zhvillimeve në rajon dhe do të informojnë në vijimësi qytetarët shqiptarë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dënuar sulmin me raketë balistike nga Irani në hapësirën ajrore turke.
Përmes një reagimi, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shkruar se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Turqinë, i cili është partner strategjik i vendit tonë dhe aleat i NATO-s.
Duke përshëndetur reagimin e menjëhershëm të mbrojtjes ajrore që rrëzoi raketën, Ministria e Jashtme deklaron më tej se sulmet e papërgjegjshme të Iranit rrezikojnë të destabilizojnë rajonin e Lindjes së Mesme.
Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Turqinë, Aleati ynë në NATO dhe partner strategjik.
I mirëpritur reagimi i menjëhershëm i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe kundër-raketore të NATO-s, të cilat neutralizuan raketën balistike dhe mbrojtën popullsinë civile, si dhe territorin e Aleancës.
Sulmet e papërgjegjshme të Iranit rrezikojnë të destabilizojnë më tej rajonin. Një mbrojtje e fortë dhe aftësitë parandaluese mbeten thelbësore për sigurinë kolektive të NATO-s.
Komente










