TIRANË, 12 Dhjetor / ATSH / - U zhvillua sot Konferenca Kombëtare me temë "Reforma në Administratën e Zonave të Mbrojtura", organizuar nga Ministria e Mjedisit, me qëllim diskutimin mbi strukturën, funksionimin dhe mënyrën e organzimit te Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Në fjalën e saj, zv/Ministrja e Mjedisit, Olijana Ifti, u shpreh se "sipërfaqja e Zonave të Mbrojtura në vendin tonë ka shënur një rritje në dhjetë vitet e fundit. Në vitin 2015, me shpalljen e Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, siperfaqja totale e Zonave të Mbrojtura pritet te jetë mbi 20% të sipërfaqes së territorit të vendit. Rritja me mbi 20% e territorit të vendit si Zona të Mbrojtura dhe rëndësia që kanë këto, kërkojnë ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, e cila do të sigurojë cilësi në ruajtjen dhe menaxhimin e tyre të qendrueshëm", theksoi Ifi.
Sipas saj, ngritja e kësaj Agjencie do të sillte një implementim më të mirë të legjislacionit vendas dhe projekteve falë kapaciteteve menaxhuese që do të krijonte kjo agjenci. Krijimi i një administrate për Zonat e Mbrojtura do të sillte lehtësi për mjaft projekte nga marrëveshje të shumta në kuadër të programeve ndërkufitare, partneritete për projekte konservimi të faunës së egër etj.
"Humbje të ardhurash nuk ndodhin vetëm nga projektet me financim të huaj, por edhe nga mundësia e gjenerimit të të ardhurave nga shërbime të tjera, si përshembull, shërbimet turistike. Duke vlerësuar potencialin për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, dhe bazuar nga eksperienca ndër vite, një administratë e dedikuar përmes rritjes së nivelit të shërbimit do të mund të sigurojë të ardhura më të larta nga këto Zona të Mbrojtura", tha në fjalën e saj, zv/ministrja Ifti.
Me këtë reformë Shqipëria i bashkohet vendeve të tjera të rajonit si, Maqedonia dhe Mali i Zi, që kanë administrata te pavarura. Kjo eksperiencë aplikohet prej vitesh dhe në shumë shtete të tjera evropiane dhe ka treguar qe është një iniciative e suksesshme që siguron menaxhimin e intreguar të Zonave të Mbrojtura duke nxitur vendimmarjen dhe vetënxitjen e stafit të këtyre administratave për të siguruar të ardhura në rritje për zonën dhe për të investuar në zonë në mënyrë që të arrihet mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i elementeve të biodiversitetit. /a.ke/









