Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani priti Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës Ramiz Latifin
PRISHTINË, 14 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Një program i Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e specializimeve, i filluar në vitin 2012, gjatë tre viteve të fundit ka financuar specializimin e mbi 50 mjekëve dhe të stomatologëve të Luginës së Preshevës.
Ministri Ferid Agani priti sot kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, dr. Ramiz Latifin, të shoqëruar nga mjekët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë përfituar nga ndarja e specializimeve nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës.
Në takim u tha se pavarësisht vështirësive reale financiare me të cilat është përballur Ministria e Shëndetësisë, u arrit të bëhet ndarja e specializimeve për profesionistët mjekësorë të Luginës së Preshevës.
Ministri Agani u zotua për vazhdimin e kësaj politike në funksion të ngritjes së resurseve të vazhdueshme profesionale shëndetësore me qëllim zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për qytetarët e Luginës së Preshevës.
Kryetari i komunës së Preshevës shprehu falënderimin e strukturave dhe banorëve të Luginës së Preshevës për ndihmën që Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë për specializimin e mjekëve dhe stomatologëve të Preshevës./k.s//a.ke/