Një karantinë e dytë do e fuste ekonominë e vendit në një trajektore negative për disa vite. Ministrja e Financave Anila Denaj tha në Report TV se në rast emergjence do të shkurtohen shpenzimet.
“Do ishte e pamundur për t’ja dalë për disa vite nëse do të kishim një mbyllje të dytë të ekonomisë. Besoj që vaksina është një element për ekonomitë por edhe për qytetarët. Mbyllja e plotë për ekonominë e vendit do të ishte jo e mirëpritur dhe negativizmi do të ndikonte në disa vite dhe jo vetëm në një vit. Nëse kjo ndodh ne do të stopojmë disa nga projektet do të ngrijmë disa nga shpenzimet edhe ato koncesionare do ulen pagesat e tyre dhe do të shtyhen në kohë”, u shpreh Denaj.
Në përgjigje të akuzave për mungesë fondesh për shëndetësinë në vitin 2021, ministrja Denaj zgjodhi të foli me shifra për sektorët prioritar që mbështet buxheti i vitit që vjen.
“Nëse do ta krahasojmë me 2019, jemi në 10.7 miliardë lekë më shumë në 2021. Shëndetësia është në fokus dhe nuk ka të bëjë me zgjedhjet por me situatën e krijuar nga pandemia. Së dyti ne mbështesim rindërtimin pasi është qëllim të kthejmë qytetarët në shtëpi dhe së treti është infrastruktura e cila është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik”, pohoi ministrja.
Sa i takon skemës së rimbursimit të naftës për fermerët ministrja tha se shpreson të ketë rritje interesi nga fermerët në mënyrë që të shtohen fondet.
“Do doja që të kisha një akt normativ në korrik 2021 që të rrisja fondet për bujqësinë nëse rritet kërkesa e fermerëve për rimbursimin naftës së fermerëve”, tha Denaj.
Po ashtu ministrja theksoi se buxheti i vitit 2021 ka mbështetur të gjithë sektorët e ekonomisë dhe qytetarët duke përmendur rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për bluzat e bardha dhe arsimtarët.