TIRANE- Matura shtetërore do të ndryshojë sërish. Duket se ndryshe nga sa ishte parashikuar Anglishtja nuk do të jetë provim me detyrim.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka deklaruar se duhet të shikohet fakti nëse shkolla shqiptare është e përgatitur mjaftueshëm për ta bërë gjuhën e huaj pjesë të provimit të Maturës Shtetërore.

Anglishtja duket se nuk do të jetë lëndë me detyrim për të rinjtë që i nënshtrohen maturës shtetërore. Ndonëse ishte parashikuar që për maturën 2014-2015, përveç gjuhës Shqip dhe Matematikës të rinjtë duhet ti nënshtrohen edhe një provimi të tretë me detyrim, asaj të anglishtes, tashmë gjithçka është vënë në pikëpyetje.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Ka deklaruar gjatë një konferencë të organizuar nga British Council se  reforma e Maturës Shtetërore dhe gjuha angleze si pjesë e provimit shtetëror duhet të shikohen më në thelb dhe në brendësi.

“Është e rëndësishme të identifikohet fakti nëse shkolla shqiptare është e përgatitur mjaftueshëm për ta bërë gjuhën e huaj pjesë të provimit të Maturës Shtetërore”, - ka thënë ministrja Nikolla . Në këtë konferencë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Këshilli Britanik, mësues dhe drejtorë të pranishëm ndanë së bashku mendimet e tyre për një zgjidhje sa më të mirë. Kjo do të pasohet nga tryeza dhe grupe të tjera pune, me qëllim krijimin e frymës së bashkëpunimit për një arsim cilësor.

Që kur u aplikua për here të parë matura shtetërore më 2006-ën, anglishtja ka qenë lëndë me zgjedhje prioritare duke i dhënë edhe koeficinetët më të lartë, 1.4 pavarësisht llojit të shkollës së mesme apo fakultetit që maturantët dëshironin të nisnin studimet e larta.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)