Erisa Xhixho i është përgjigjur ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, pas apelit të saj për të mbajtur fëmijët larg dhunës në protesta. Xhixho kërkon dorëheqjen e ministres, duke akuzuar qeverinë se ka shkatërruar arsimin dhe mundësitë e të rinjve për një të ardhme më të mirë. “Ministrja e Arsimit bën mirë të japë dorëheqjen, bashkë me gjithë bandën e saj!”, shkruan ajo, duke shtuar se Kumbaro nuk duhet t'u japë mend të rinjve, të cilët, sipas saj, janë detyruar të largohen nga vendi. 

Teksa ministrja Kumbaro tha se 'duar të errëta po u vendosin maska fëmijëve'  Xhixho shkruan se “duart e errëta që ua shkatërrojnë të ardhmen të rinjve janë korrupsioni, mungesa e meritokracisë, papunësia dhe vjedhjet tuaja pa fund!”. Ajo kritikon edhe kushtet ekonomike të familjeve shqiptare dhe kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. 

" Ministrja e Arsimit bën mirë të japë dorëheqjen, bashkë me gjithë bandën e saj! Të mos dalë të japë mend se çfarë duhet të bëjnë të rinjtë, të cilëve ua vranë ëndrrat, ua nxinë jetën, i detyruan të largohen nga vendi dhe shkatërruan arsimin dhe çdo mundësi për një të ardhme më të mirë. Kujt prindi i drejtohet kjo ministre? Prindërve që mezi mbyllin muajin, që nuk kanë kohë të kalojnë me fëmijët e tyre, që nuk arrijnë të blejnë një shtëpi dhe nuk përballojnë dot as qiratë? Duart e errëta që ua shkatërrojnë të ardhmen të rinjve janë korrupsioni, mungesa e meritokracisë, papunësia dhe vjedhjet tuaja pa fund!

Këtu ka vetëm një zgjidhje: Dorëheqja e Edi Ramës,  Qeveri teknike,  Zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme!

Boll me fjalë! Tani duhen vendime politike!" shkroi Xhixho


Lajmi kryesor:

Protestat e dhunshme, Berisha kërcënon Ramën: Zgjidh fatin e Ramiz Alisë! Protestuesit ‘liberatorë’, sipërmarrësit t’i mbështesin!