Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun britanik Rishi Sunak, pas debatit të ‘ndezur’ që është krijuar prej javësh mbi emigrantët shqiptarë në Britani të Madhe. Biseda mes dy homologëve është zhvilluar këtë pasdite, ndërsa fokusi kryesor ka qenë edhe trajtimi i emigrantëve të paligjshëm, si edhe marrëdhënia mes dy vendeve.

Siç njoftojnë dy qeveritë, Rama dhe Sunak ka rënë dakord që të dy vendet të angazhohen për të zgjidhur çështjen e emigrimit ilegal, por duhet të bëjnë edhe më shumë për të goditur krimin e organizuar. Pavarësisht të gjitha debateve, Sunak mësohet se ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe.

Siç bëhet me dije, të dyja palët kanë rënë dakord që të zgjidhet edhe problemi i kthimit të azil-kërkuesve shqiptarë që u refuzohet azili, në mënyrë që ata të mos mbahen gjatë në Britani, por kthimi i tyre në atdhe të realizohet më shpejt.

Rama dhe Sunak kanë vlerësuar marrëdhënien mes dy vendeve, ndërsa janë angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në disa fusha si tregtia, investimet, si edhe siguria kibernetike.

Biseda telefonike mes Ramës dhe Sunak, vjen pas deklaratës së ashpër të sekretares së Brendshme Britanike Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët që shkojnë drejt Britanisë me gomone, si kriminelë dhe pushtues. Kjo ka nxitur reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku kërkuan që Braverman t’u kërkonte ndjesë.

Britania po tenton të ndjekë një politikë të re për azilkërkuesit, duke krijuar një listë të bardhë për vendet të cilat konsiderohen të sigurta, në këtë formë kërkesat e azilkërkuesve konsiderohen të pabaza. Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe është tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:03
Debati për shqiptarët, zbardhet biseda e Ramës me Sunak: U angazhuam se dy qeveritë duhet të bëjnë më shumë për emigrantët e paligjshëm

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Rishi Sunak, ku një fokus ka marrë edhe diskutimi mbi emigrantët shqiptarë.

Në një njoftim të faqes zyrtare të qeverisë britanike, thuhet se Sunak ka vlerësuar kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar për jetën në Britani, por të dy kanë rënë dakord se dy qeveritë duhet të angazhohen më shumë për emigrantët ilegalë.

Udhëheqësit vlerësuan partneritetin e gjatë e të ngushtë midis Britanisë dhe Shqipërisë dhe u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit në tregti, investime dhe mbrojtje, duke përfshirë sigurinë kibernetike.