Fjala e Ministres Klajda Gjosha gjatë aktivitetit për prezantimin e  arritjeve të 100 ditëve të qeverisë

Dua ta filloj nga ajo që tha zoti Bushati, kur u shpreh se ne jemi ministrat e ajrit, por nga ana tjetër dua te theksoj se  kur zbresim në Shqipëri ne jemi gjithmonë me këmbë në tokë , sepse në fund të fundit edhe vetë procesi i integrimit  është ai që duhet të na bëjë ne të gjithë,  të jemi më pranë qytetarëve. Nuk është vetëm  një proces reformash por është një proces transformimi brenda secilit nga ne.  Mua më vjen mirë që ky aktivitet organizohet sot , për të raportuar të gjithë punën tonë të përditshme , pavarësisht arritjeve të 100 ditëve  apo dhe misionit që ne kemi vendosur në të ardhme.
 
Më mirënjohje të thellë në fakt do të flisja sot për të gjithë ministritë dhe institucionet e pavarura  të cilat nën koordinimin e ministrisë së Integrimit bënë të mundur hartimin e një plani masash  tashmë me progres të jashtëzakonshëm në këto 100 ditë përsa  i përket çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një plan masash  për të cilin  kanë folur mjaft këto ditë edhe 28 vendet anëtare të cilat dua t’i falenderoj sepse bënë të mundur  për të vënë në dukje progresin  që pati kjo qeveri që në ditët e para pas marrjes detyrës së saj.
 
Në krahun tjetër është bërë një punë shumë e madhe  sa I përket jo vetëm reformave që duhen ndërmarrë por edhe komunikimit më të mirë të vendeve anëtare  të Bashkimit Evropian  me  Dialogun e Nivelit të Lartë, I organizuar bashkë me Komisionin, qeverinë shqiptare , por edhe me pjesëmarrjen e opozitës.  Më të vërtetë na vuri të gjithëve në një pozicion edhe më përballues, ndaj sfidave që kemi përpara, por njëkohësisht bëri  të mundur diskutimin e 5 prioriteteve  të lëna  deri në hapjen e negociatave.

Së bashku me komunikimin e ngushtë që kemi patur me Komisionin Evropian, kemi ngritur edhe një  njësi të re që është  ajo e  Shoqërisë Civile,  e cila përbën një risi   që jo vetëm ndihmon komunikimin e tyre në procesin e integrimit,  por  lehtëson komunikimin e tyre me ministritë e linjës, sepse ne duam të jetë pranë vendimmarrjes së qeverisë, sepse është e vetmja mënyrë për ta bërë këtë proces sa më demokratizues dhe transparent.

Gjithashtu kemi punuar shumë me gjithë rinin shqiptare. Kemi ndërmarrë një fshatë informuese me universitetet duke filluar me Universitetin e Tiranës, ku vërtet pamë se rinia shqiptare është tejet e angazhuar , në procesin e integrimit dhe  në fakt ka rëndësi të veçantë sepse do të jetë kjo rini që do të  ndërmarrë më pas në dorë fatin e të gjithë shqiptarëve, për të vazhduar procesin e integrimit, por edhe të zhvillimit të vendit.

Dhe më lejoni të vij të një pikë kyçe për ta mbyllur diskutimin tim: Shtyrjen e vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Në fakt do doja të falenderoja të gjithë vendet anëtarë, që folën me notat më të larta  për progresin që ka bërë Shqipëria jo vetëm në këto 3 muaj por,  në shumë vite.

Dua t’’i falenderoj për mënyrën si janë shprehur për punë e qeverisë, sepse për mua dhe për gjithë shqiptarët ky mesazh duhet të jetë inkurajues për të vijuar dhe për të ndërmarrë ato reforma të cilat  do të transformojnë jetën e tyre, që do të zhvillojnë  vendin, sepse në fund të fundit ne duam ta kthejmë këtë vend në një vend ku  të sundojë ligji , transparenca, por mbi të gjithë të ketë më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.