Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro është pjesë e konferencës së nëntë mjedisore për Europën nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku drejtoi edhe njërin prej paneleve me temë “Turizmi i Qendrueshëm dhe Ekonomia Qarkulluese”.
Në këtë konferencë, ministrat pjesëmarrës vlerësuan modelin e Shqipërisë që ka bashkuar në një portofol ministror turizmin dhe mjedisin, si përgjigja më e mirë ndaj sfidave aktuale siç janë turizmi i qëndrueshëm, mbrojtja e mjedisit dhe angazhimet kundër ndryshimeve klimatike.
“Sfidat e viteve të fundit na tregojnë se luftën për një botë më të mirë nuk e fitojnë numrat, por qëndrueshmëria, solidariteti, largpamësia e zhvillimit të qëndrueshëm. Pra, le të ndryshojmë qëndrimin tonë për të rimenduar turizmin, jo vetëm si një aktivitet udhëtimi, por si një zhvillim i qëndrueshëm që ofron kënaqësi, përgjegjësi qytetare dhe emancipim. Duhet të punojmë për zhvillimin e turizmit përmes ruajtjes së mjedisit, nga ana tjetër kemi një potencial të madh me zonat e mbrojtura për të zhvilluar ekoturizmin”, u shpreh Kumbaro në eventin që po mbahet në Nikosia të Qipros, me pjesëmarrjen e ministrave të mjedisit nga Europa.
Pjesë e diskutimit ishte edhe renditja e Shqipërisë si destinacioni me rikuperimin më të shpejtë për flukset e turistëve ndërkombëtarë sipas OBT me +19% krahasuar me vitin 2019, e njëkohësisht rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në mbi 21% të territorit.
Në fund të fjalës, Kumbaro pati edhe një kritikë për organizatorët, në lidhje me përdorimin e ajrit të kondicionuar në kushtet e krizës energjitike dhe ndryshimeve klimatike, që mori miratimin e sallës.
“A mund ta kontrollojmë pak ajrin e kondicionuar në këtë sallë, në mënyrë që të kursejmë energji, që të mbrojmë klimën nga gazet serrë, por edhe sepse është shumë ftohtë. Ky është hapi i parë, përpara se të vazhdojmë të flasim sërish për ekonominë qarkulluese dhe për turizmin e qëndrueshëm në këtë konferencë kaq interesante të UNECE”, tha Kumbaro duke marrë miratimin e sallës.