
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës mujore me median për analizën e treguesve më të fundit ekonomikë, theksoi, se eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar forcimin e strukturës së ekonomisë dhe orientimin drejt sektorëve me vlerë të shtuar.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, eksportet totale të ekonomisë janë rritur me 6,26% gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025. Ibrahimaj vuri në dukje se rritja është mbështetur kryesisht nga eksportet e shërbimeve, të cilat përbëjnë rreth 85% të totalit të eksporteve dhe janë rritur me mbi 10.5%, me turizmin si komponentin kryesor.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga mbi 12 milionë turistë të huaj, duke e kthyer turizmin në një nga shtyllat kryesore të eksporteve dhe të rritjes ekonomike. Ministrja informoi se, ndonëse eksportet e mallrave përbëjnë rreth 15% të totalit dhe kanë shënuar një rënie në vlerë, kjo lidhet kryesisht me luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe jo me ulje të aktivitetit prodhues.
Në terma vëllimi, u shpreh ajo, industria e rëndë dhe prodhimi vendas kanë shfaqur rritje. Sa i takon sektorëve specifikë, eksportet e grupit “ushqim, pije dhe duhan” janë rritur me 5% në vlerë dhe 7% në vëllim, duke treguar vijimësi pozitive si për bujqësinë ashtu edhe për industrinë e agropërpunimit.
Eksportet e energjisë elektrike, për 12 muajt e vitit, janë rritur me 6.8%, ndërsa sektori fason ka regjistruar një rënie të lehtë prej rreth 1%, e cila sipas ministers, lidhet me nevojën për modernizim dhe kalim drejt prodhimit me cikël të mbyllur.
Në këtë kuadër, ministrja Ibrahimaj deklaroi se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po orienton politikat e saj drejt rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve, diversifikimit të tregjeve dhe mbështetjes së sektorëve me produktivitet të lartë, si teknologjia e informacionit, industria përpunuese dhe shërbimet me vlerë të shtuar.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur, se qeveria ka miratuar Strategjinë për Zhvillimin e Eksporteve 2025–2030, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore: promovimin e eksporteve, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave tregtare, harmonizimin me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e mbështetjes financiare për kompanitë eksportuese.
“Qëllimi ynë është që eksportet të mbeten një motor i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, të rrisim praninë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe të përgatisim bizneset për integrimin e plotë në tregun e përbashkët europian”, u shpreh ministrja.
Lajmi kryesor:
Ekonomia në 2025-ën u rrit me 3.75%, Ibrahimaj: Pensionet rritje me 8.4%! Inflacioni 2.2%, borxhi publik ra në 53.4%










