Viti 2025 është mbyllur me inflacion mesatar 2.2% thotë Instituti i Statistikave, duke qenë i njëjtë me inflacionin mesatar në 2024-ës.
Në raportin e fundit të INSTAT për indeksin e çmimeve në muajin dhjetor, raportohet se inflacioni rezultoi 2.3%, nga 2.1% që ishte në të njëjtin muaj të 2024-ës. Kjo tregon se shtrenjtimi ishte më i lartë muajin e kaluar se në 2024-ën.
“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2025 është 2,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2025, krahasuar me Nëntor 2025 është 0,7 %”, thuhet në raport.
Rritja e inflacionit në dhjetor është udhëhequr kryesisht nga shtrenjtimi i qirave dhe çmimet e kripura të ushqimeve në prag të ndërrimit të viteve.
“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,56 pikë përqindje”, thuhet në raport.
Por në muajin e kaluar thotë INTAT të gjitha grupet e mallrave kanë pasur ndikim në rritjen e inflacionit pasi asnjë kategori nuk ka raportuar rënie çmimi.
“Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti” me +0,02 pikë përqindje secili”, vijon më tej raporti.
Krahasuar me muajin Nëntor 2025, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” patën rritjen më të lartë nga të gjitha grupet me 1,1 %, më pas vjen grupi i qirave dhe lëndëve djegëse.
Kurse në raport me dhjetorin e 2024-ës, çmimet më të larta për produktet e shportës ushqimore u regjistruan për bulmetin.
“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 4,4 %, pasuar nga nëngrupet “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me 3,8 % secili, “Mish” me 2,3 %, “Fruta” me 0,4 %, etj”, thotë INSTAT.
Norma mesatare e inflacionit prej 2.2% për gjithë vitin e kaluar, është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, por megjithatë pritshmëritë janë që 2026-ta të ketë një rritje më të shpejtë të çmimeve. Pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë janë që inflacioni për këtë viti të arrijë në shifrën 3.6%, e thënë ndryshe çmime mesatarisht 1.4% më të larta se viti i lënë pas.
Komente










