Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA. gjeneralmajor Jeronim Bazo kanë inspektuar nga afër fazën e dytë të aksionit të Forcave të Armatosura për pastrimin e territorit.

Fillimisht ato janë ndalur në pikën doganore të Morinës, ku forca të shumta të ushtrisë ishin duke pastruar territorin.

Më tej ato janë ndalur përgjatë gjithë akseve rrugore, ku efektivat e Forcave të Armatosura ishin të angazhuara dhe kanë parë nga afër aksionin e pastrimit të mbetjeve.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli u shpreh se duhet ta mbajmë të pastër Shqipërinë dhe gjendjen mjedisore në të gjithë tërritorin e vendit e ka cilësuar si Emergjencë Mjedisore.

Më tej gjatë fjalës së saj ministrja Kodheli theksoi se qeveria ka disponibilitetin maksimal për ta mbajtur të pastër mjedisin.

Në takimet që zhvilloi me disa prej banorëve të zonave, ministrja Kodheli u ka tërhequr vëmëndjen atyre, dhe u ka kërkuar që ta mbajnë të pastër ambientin në të cilin jetojnë dhe u bëri thirrje të gjithve që të bëhen pjesë e këtij aksioni.

Në këtë aksion janë angazhuar 1000 forca të ushtrisë dhe 80 mjete.

Akset kryesore në të cilat Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë gjatë ditës së sotme janë: Dogana Morinë-Ura e Drinit Kukës 20 km; Milot-Rubik 12 km; Milot-Kukës 32 km; Kamëz-Vorë 12.5 km dhe Kashar-Aeroporti i Rinasit 7 km. Në total janë pastruar 83.5 km rrugë kombëtare dhe mbetjet e nxjerra janë transportuar me mjetet e FA për në vendgrumbullimet e tyre.

Redaksia Online