Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në Report Tv në emisionin "Pa Protokoll" për të folur rreth turizmit në kohë krize. Intervista u zhvillua dy ditë më parë nga gazetarja Anduela Ndreu.

Teksa ka pasur diskutime për rritje të çmimeve dhe vështirësi për të përballuar pushimet në këtë sezon veror, ministrja bëri me dije se pjesa më e madhe e bregdetit është i rezervuar deri në shtator. 

"Nga operatorët turistik, e gjithë jehona është shumë e mirë. Në të gjithë vendet ku kam shëtitur, në kontaktet me bizneset e turizmit, më konfirmojnë trend pozitiv në rritje. Edhe shifrat e INSTAT tregojnë rritje deri në fund të muajit maj. Unë mendoj që ka rritje të çmimeve se Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga tregu global. Rritja e ofertës turistike qoftë përmes strukturave agroturistike apo numrit të bujtinave në bregdet bën që të ketë oferta dhe për xhepa të cilët nuk i përballojnë rritjen e çmimeve në hotele. Po të shohim rezervimet, Gjirokastra dhe Përmeti janë të rezervuara deri në fillim shtatori. Kavaja dhe Durrësi janë të rezervuara deri në fund të sezonit.  Rezervimet janë të ndryshme. Ka rritje të vizitorëve të huaj, 55% ndërsa 34% janë rezident në strukturat hoteliere", tha Kumbaro.

Rezervimet i bëjnë pushues vendas por edhe të huaj, por shumicën e përbëjnë këta të fundit. Ndër të tjera, rritja e turistëve në Shqipëri mund të vijë prej rritjes së çmimeve në Turqi dhe Greqi.

"Kemi turistë nga vende që konsiderohen tregje interesante si Holanda, Serbia, Gjermania, Franca e Italia. Flasin për një ankesë që ka rritje të dukshme të çmimeve në Turqi dhe Greqi. Këta na thonë partnerët tanë operatorë, gjë që bëjnë që flukset të lëvizin", tha Kumbaro.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:43
Ndalimi i qeseve plastike një përdorimshe, Kumbaro: Janë plumbat më të tmerrshëm, ndotësit që transformohen në produkt helmues

 

Që prej 1 qershorit ka hyrë në fuqi ndalimi i qeseve një përdorimshe. Ndërsa nga fillimi i këtij korrikut, qeveria ka bërë me dije se hyn në fuqi gjobitja e subjekteve që vazhdojnë të përdorin qese plastikë më të holla se 70 mikron.

Në intervistën për emisionin "Pa Protokoll" të gazetares Anduela Ndreu, ministrja Mirela Kumbaro i cilësoi qeset plastike një përdorimshe si "një nga plumbat e tmerrshëm" si ndotës të tokës dhe të ujërave. Teksa tregoi statistikat, u shpreh se ky ligj për qeset ishte i domosdoshëm duke qenë se shkaktojnë dëm të madh.

"Qeset janë një ndër plumbat më të tmerrshëm që trajtohen në të gjithë botën si një nga ndotësit më të mëdhenj të tokës, sidomos të ujërave. Qeset një përdorimshe, sipas llogaritjeve nga Ministria dhe partnerët tanë, çdo shqiptar përdorte rreth 3 qese në ditë, pra i mbante 12 minuta dhe i hidhte. Llogarisni numrin me miliarda në vit që hidhen në territor. Ato përhapen shumë lehtë dhe përfundojnë në ujë dhe nuk dekompozohen as në qindra vjet, por transformohet në produkt helmues për gjallesat dhe na sillen më vonë në pjatë. Nëse vijon kështu planeti ynë, në oqeane dhe dete do ketë më shumë qese se peshq", tha Kumbaro.