Ministrja Kumbaro: Reforma
është pa kthim

Ministrja Kumbaro: Reforma<br />është pa kthim
TIRANE- Pas protestave të përsëritura të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit për largimet nga puna, stafi drejtues i Ministrisë së Kulturës dhe drejtoria e TKOB, në bashkëpunim me përfaqësi të sindikatës se artisteve dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe artistë të tjerë të këtij institucioni, kanë zhvilluar disa raunde bisedash e negociatash që kanë synuar ndër të tjera njohje me reformën dhe sqarim mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve të punës të artistëve në TKOB. Pas këtyre negociatave Ministria e Kulturës deklaron se “ka marrë  përsipër që në  fillim të punës së saj të reformojë institucionet e artit në vend, për të  nxitur krijimtarinë, për të rritur cilësinë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional i karrierës për të gjithë artistët,  për të garantuar e respektuar   dinjitetin  e artistit dhe duke synuar përfshirjen e të rinjve në këto institucione.

Reforma ka filluar dhe është pa kthim, sepse ajo është e shëndetshme për skenën artistike dhe për talentet e artit.”, shkruhet ne deklaratën zyrtare. Po aty, nënvizohet se kjo reformë  do të bëhet në bashkëpunim me komunitetin, duke mos shkurtuar asnjë vend pune, por duke vendosur promocionin e cilësisë artistike, sistemin e kontratave individuale, etj. Gjithashtu, theksohet se “MK nuk ka propozuar asnjëherë kontrata të thjeshta 6-mujore pune në TKOB. Përkundrazi, termat e kontratës së propozuar dhe sidomos neni 10 i saj,  qartësisht theksojnë propozimin për një kontratë 1 vit e gjashtë muaj minimale dhe maksimale 3 vjet e 6 muaj. Periudha 6 mujore tranzitore kishte si qëllim realizimin e një procesi transparent për sistemin e vlerësimit profesional dhe kategorizimin e pagave të artistëve, i cili në kushtet aktuale mungon.”, shkruhet në shkresën zyrtare.

Duket se pas protestave MK ka toleruar plot 6 muaj në kohëzgjatjen e kontratave, ku konkretisht thuhet “Meqenëse kjo periudhë tranzitore nuk u kuptua dhe keqinterpretohet, në bisedën e fundit të ministres së Kulturës dhe artistëve përfaqësues në takimin e datës 29 prill 2014, u ra dakord që kjo periudhë 6 mujore tranzitore të mos përfshihet në kontratat që do të propozohen në vijim.” Konsiderimin e kontratave aktuale si të paligjshme shkresa zyrtare e MK-së e paraqet me këto argumente: TKOB si një teatër me trupa artistike, karakterizohet nga: Mungesë e plotë e kontratave të vlefshme të punës; Moszbatim të ligjit mbi Artin dhe Kulturën, i cili qartësisht detyron institucionin e artit të lidhë  kontrata individuale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit;

Paqartësi të vijueshmërisë së marrëdhënies së punës; Arbitraritet në kategorizimin profesional të artistëve; Moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive e cila presupozon ekzistencën e kontratës individuale si garanci e marrëdhënieve personale të punës mes punëmarrësit e punëdhënësit. Në këto kushte, Ministria e Kulturës ka propozuar ngritjen e një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga të gjithë sektorët e trupës artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe aktorëve përgjegjës të MK-së, për të bërë të mundur hartimin e një skeme të qartë punësimi dhe zhvillimi karriere, sipas modeleve të njohura të institucioneve artistike evropiane. 

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)