Ministra e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, kanë nënshkruar ditën e sotme (28 nëntor) në Budapest, Planin e Veprimit, që parashikon ‘trajnimin e nëpunësve të institucioneve shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian’.
Lajmin e ka bërë publik vetë ministrja Pirdeni, teksa po zhvillon vizitë dyditore në Budapest.
“Hungaria, me përvojën e saj të suksesshme si anëtare e BE-së që nga viti 2004, do të ndihmojë Shqipërinë përmes programeve të dedikuara të trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Në kuadër të marrëveshjes, Akademia Diplomatike Hungareze do të organizojë seminare për nëpunësit publikë shqiptarë, duke u fokusuar në përgatitjen për sfidat dhe arritjen e standardeve që kërkon procesi i negociatave me BE-në”, sqaron ajo.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministrja e vlerësoi Planin e Veprimit si një hap të rëndësishëm për forcimin e administratës publike shqiptare dhe përgatitjen e saj për integrimin në BE.
“Duke përfituar nga përvoja e vyer e Hungarisë, ne synojmë të krijojmë një administratë më efikase dhe të përgatitur për të përmbushur detyrat e shtëpisë të këtij procesi historik”, deklaroi ministrja.
Nga ana tjetër, ministri Szijjártó rikonfirmoi mbështetjen e Hungarisë për potencialin e madh të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm të BE-së.
“Ky nënshkrim shënon një tjetër gur themeli në miqësinë dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Hungarisë dhe pritet të forcojë lidhjet institucionale midis dy vendeve në përpjekjet e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e familjes evropiane. Marrëveshja e sotme është një nga dy marrëveshjet që do të nënshkruhen përgjatë vizitës zyrtare 2-ditore të Ministres Pirdeni në Budapest”, sqaron ministria.
Kjo vizitë mbahet në javët e fundit të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila, pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin I të Themeloreve në muajin Tetor, vetëm pak ditë më parë njoftoi dritën e gjelbër për hapjen e negociatave edhe për Grupkapitullin VI-të, që ka në fokus Marrëdhëniet e Jashtme.