Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, është shprehur se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duhet parë si një mundësi për të konsoliduar institucionet e shtetit shqiptar.

Komentet Pirdeni i bëri gjatë një konference për mediat, ku tha se procesi i anëtarësimit ndihmon institucionet që të jenë me imune ndaj abuzimit me funksionin publik.

Më tej Pirdeni theksoi se në fokus të punës së Qeverisë gjatë kësaj jave kanë qenë iniciativat në luftën kundër korrupsionit.

“Procesi i anëtarësimit është një proces sfidash, por edhe një proces i jashtëzakonshëm dhe një mundësi e madhe shtetformimi për Shqipërinë. Do të thotë që kjo duhet parë si një mundësi që ne kemi për të konsoliduar institucionet tona dhe për t’i bërë ato sa më shumë imune ndaj çfarëdolloj rreziku që mund të vijë, kryesisht ndaj abuzimit me funksionin publik. Ndaj në fokus të kësaj jave kanë qenë iniciativat tona në luftën kundër korrupsionit”, tha mes të tjerash Pirdeni.

Pirdeni shtoi se në konferencën e 8-ë ndërqeveritare Shqipëri-BE u vendosën piketa për reformën në administratën publike, e cila sipas ministres është ‘reforma mbi reformat’.

“Në datën 26 maj, në konferencën e 8-ë ndërqeveritare, u vendosën disa piketa për mënyrën sesi Shqipëria do të duhet të përmbyllë negociatat për kapitullin 23-24, por edhe për reformën në administratën publike. Reforma për administratën publike është në fakt reforma mbi reformat. Përgjatë kësaj periudhe kohe jemi munduar që ta orientojmë gjithë punën tonë drejt forcimit të kapaciteteve administrative”, shtoi Pirdeni.

Duke përmendur rritjen e pagave në administratën publike që nga viti 2023, e cila sipas ministres arrin nga 35-65%, Pirdeni theksoi se reforma e pagave ka qenë ‘kali i betejës’ së Qeverisë gjatë kësaj periudhe.

“Kjo do të thotë që shtojmë fokusin tonë te stafet tona, të cilat në përditshmëri ja dedikojnë punën e tyre shërbimit publik, duke pasur parasysh faktin se fokusi kryesor do të jetë te mënyra sesi ne i trajtojmë sëpari financiarisht stafet tona në administratën publike. Që prej vitit 2023 Shqipëria ka nisur një proces të reformimit tërësor të pagave, me rritje nga 35-65% të pagave. Një rritje që preku jo vetëm të gjithë trupën e administratës publike në nivel qëndror, por edhe në nivel vendor. Reforma e pagave ka qenë kali i betejës përgjatë procesit të forcimit të kapaciteteve”, përfundoi Pirdeni.