Sistemi spitalor do t’i nënshtrohet një procesi të thellë riformatimi, që synon më shumë efikasitet, menaxhim modern dhe kujdes dinjitoz për çdo pacient, kudo në vend.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, inspektoi Spitalin Rajonal “Memorial” në Fier, spitali pilot për autonominë financiare, ku po aplikohen modele moderne të menaxhimit, financim i bazuar në kosto reale dhe shpërblim i stafit sipas performancës.
Gjatë vizitës në ambientet e këtij spitali, ministrja Sala theksoi se autonomia spitalore përbën një shtyllë themelore të reformës në shëndetësi, pasi rrit përgjegjshmërinë menaxheriale, përmirëson përdorimin e burimeve financiare dhe krijon kushte për motivimin e stafit shëndetësor përmes vlerësimit sipas performancës.
“Spitali Rajonal “Memorial” në Fier është aktualisht i vetmi spital në Republikën e Shqipërisë që ka autonomi financiare, pra që mund të dhe menaxhojë dhe planifikojë në mënyrë autonome. Në vitin 2026 një nga prioritetet që kemi si Ministri e Shëndetësisë është që të rishikojmë në mënyrë tërësore sistemin spitalor në rang vendi, duke patur parasysh efikasitetin e shërbimeve që i japim pacientit”, deklaroi ministrja Sala.
Rishikimi i sistemit spitalor do të bazohet në analizën e zhvillimeve demografike dhe indikatorëve ndërkombëtarë të performancës, si shfrytëzimi i shtratit, qarkullimi i shtratit dhe koha mesatare e qëndrimit në spital, në transformimin dhe riorganizimin e spitaleve me bazë rajonale duke përfshirë edhe shërbime të reja, si dhe në kalimin nga buxhetimi historik në buxhetimin sipas shërbimit, përmes tarifave të bazuara në DRG.
Spitali Rajonal “Memorial” në Fier përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në shëndetësinë publike, duke ofruar shërbime të nivelit terciar për qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Me kapacitet 150 shtretër dhe shërbime të avancuara mjekësore, ky spital garanton kujdes shëndetësor cilësor në urgjencë, neurologji, kirurgji të specializuar, neurokirurgji, imazheri të avancuar, kardiologji dhe hemodinamikë, si dhe shërbime laboratorike të standardeve të larta.
Shërbimet ofrohen nga një ekip i përbashkët turko-shqiptar prej 290 profesionistësh shëndetësorë, të përkushtuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor sipas standardeve bashkëkohore evropiane.
Komente









