Tirana është kthyer në këto dy vite në një kantier ndërtimi dhe ndryshimi pozitiv që po pëson është i ndjeshëm, më së shumti tek ata që e vizitojnë atë në intervale të caktuara kohe. I tillë është edhe rasti i ministrit italian të Brendshëm, Marco Minniti, i cili ishte sot në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit monitorues të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza kundër kultivimit të kanabisit për vitin 2017, ministri Minniti, ndërmjet të tjerave shprehu dhe disa përshtypje të tijat lidhur me zhvillimin dhe ndryshimin e madh që kishte vënë re gjatë kësaj vizite në Tiranë.

 “Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri. Nëse do duhet t’ju thosha me sinqeritetin e plotë, në atë rrugë që më solli këtu nga aeroporti në qendër të Tiranës, se cilat ishin ndjesitë e mia kur kalova, ishin ato të një emocioni të jashtëzakonshëm. Tirana dhe Shqipëria ka ndryshuar shumë; ua thotë një njeri i cili ka qenë këtu kur ju ishit të rinj fare, ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar sigurisht për mirë, për më mirë”, tha ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti.

 Dhe ky nuk është rasti i vetëm ku është evidentuar ndryshimi që ka pësuar Tirana. Po gjatë ditës së sotme ishte kreu i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb ai që vlerësoi transformimin që ka pësuar kryeqyteti shqiptar. Jo vetëm kaq, por edhe mediat më prestigjioze botërore shpesh herë gjatë muajve të fundit i kanë kushtuar këtij ndryshimi artikuj të posaçëm, ndërsa ka ftuar lexuesit e tyre që të vizitojnë Tiranën.

d.c./shqiptarja.com