Ka pasur një heshtje të kujdesshme këto kohë nga ana e ndërkombëtarëve, sa herë që pyeteshin për sherrin mes Metës dhe Ramës, në lidhje me zgjedhjet lokale. Përkundër kritikave të shpeshta që kanë prodhuar në momente të tensionuara politike, këtë herë ata e lanë debatin mbi 30 qershorin në “duart e shqiptarëve”.
Është një çeshtje e brendshme, zgjidheni ju! Kjo është fraza që u dëgjua në kor nga ambasadorët dhe organizmat ndërkombëtare që folën pasi Ilir Meta “çdekretoi” zgjedhjet.
Tani kjo situatë e habitshme dhe e pakuptueshme ka marrë fund. Kolegji Zgjedhor vendosi t’i japë fund sagës juridike, duke marrë një vendim që pritet t’i japë formë krejt të ndryshme debatit të gjatë për 30 qershorit. Shumica do të ketë një vendim gjyqësor mbi datën që dëshëron për zgjedhjet, presidenti dhe opozita do të kenë një pengesë më shumë në rrugën drejt pengimit të zgjedhjeve, kurse të huajt do të disponojnë një akt juridik mbi të cilin të bëjnë arbitrin e palëve në orët në vijim. Hyrja në lojë e Kolegjit Zgjedhor nuk do ta fashisë polemikën politike, por i ka dhënë një drejtim definitiv opinionit zyrtar juridik mbi datën e zgjedhjeve lokale.
Ka qenë një vendimmarrje delikate dhe e shumëpritur, pasi edhe në një ambjent thellësisht mosbesues dhe paragjyklues si ky i yni, kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin dhe të zbatojnë vendimin e saj. Opozita e ndjeu se Kolegji ishte vënë në lëvizje nga një parti aleate e PS, me qëllimin që ta detyronte këtë gjykatë të shprehej formalisht mbi datën e zgjedhjeve. Ajo e di se pas vendimit të Kolegjit, nuk ka më asnjë pengesë formale në rrugën drejt zgjedhjeve të të dielës së ardhshme. Këtë e di edhe Kreu i shtetit, i cili u investua në këtë fazë të luftës politike, me të gjithë arsenalin e institucionit që drejton, duke e ekspozuar veten si një kontigjent të vërtetë sulmi të opozitës, kundër qeverisë dhe kundër zgjedhjeve.
Pas vendimit të Kolegjit, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë më një problem juridik formal. Nyja e interpretimit ligjor të datës së zgjedhjeve tashmë zgjidhur. E diela e ardhshme është ajo që të gjithë prisnim: një problem logjistik, një problem rendi e sigurie, jo një çeshtje gare elektorale apo konkurimi alternativash.
Po shkojmë drejt një dite të nxehtë votimesh, por më mirë një ditë e tillë, sesa një dështim i turpshëm në përmbushjen e detyrës bazë të një demokracie: mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Do të votohet pa praninë e një porcioni të madh të spektrit politik e ky është një detaj me peshë mbi imazhin dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Por më mirë një palë zgjedhje të këqia se hiç zgjedhje! Kolegji mori të vetmin vendim të mundshëm dhe që evitoi një figurë të shëmtuar brenda dhe jashtë vendit.
Gjykata foli per njerez qe kuptojne ligjin dhe e respektojne ate. Por ka shume njerez qe per qellime te caktuara e injorojne dhe e shkelin ate.
PërgjigjuIlir Meta meriton ndeshkim maximal per kete situate te prodhuar ne zyrat e tij,ky luftenxites qe ka dale nga binaret eshte i mbytur ne mllef e egersi qe nuk i duhet ketij vendi.
Përgjigju