Minxhozi: Një kryetar partie në Presidencë

Minxhozi: Një kryetar partie në Presidencë

Ilir Meta

Ka qenë dikur politikani më pak interesant për mediat. Fliste me një fjalor të kufizuar termash, thoshte vetëm ato që kishte kalkuluar në mendjen e tij dhe përpiqej t’i mbahej një linje formalisht të balancuar mes palëve. Ky ishte Ilir Meta i para dekretit të anullimit të zgjedhjeve. Sepse që nga ai moment, kemi para syve një President të tjetërsuar, një tjetër njeri, por jo domosdoshmërisht një tjetër politikan. Nuk ka ndryshuar krah por vetëm se tani e thotë hapur dhe publikisht se në cilën anë qëndron.

Ka shumë hamendësime për arsyet e trazimit të dukshëm të Ilir Metës në javët e fundit. Dikush thotë se ka hall me afrimin e SPAK dhe të hetimeve që reforma do të sjellë për politikanët, dikush tjetër se kërkon të dalë nga hija e rëndë e maxhorancës që e ka futur në një cep, të tjerë përkrahin idenë se po përpiqet t’i japë një motiv egzistence dhe optimizmi opozitës (më së pari partisë së tij LSI), pas 30 qershorit dhe pas shuplakave të forta të ndërkombëtarëve.

Të gjitha këto janë motive të mjaftueshme për të bërë një luftë. Me kusht që të mos jesh kryetari i shtetit shqiptar. Sepse nëse je i tillë dhe hedh fraza të tipit “I kam bërë të qartë Bashës, Kryemadhit dhe mikut tim Doktorit, që të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar P P P d, që të mos dalim nga mënyra e qeverisjes”, do të thotë se gjithçka mund të jesh, përveçse simboli i unitetit të kombit! Do të mjaftonte kjo fjali për ta konsideruar kryetarin tonë të shtetit, një tifoz të sëmurë të krahut të vet politik, e jo një institucion të ekuilibruar dhe të baraslarguar nga palët dhe nga sherret që ato gjenerojnë.

Prej kohësh opozita përpunon idenë se Presidenca është i vetmi institucion që po ruan neutralitetin e shtetit dhe balancat e prishura nga “parlamenti i krimit” dhe “qeveria e drogës”. Duket se opozita ka një merak që vetë Presidenti nuk e ka, me sjelljen e njeriut totalisht të arratisur nga formati dhe kostumi që i takon të mbajë, me sulmet e fyerjet që hodhi pa hesap kundër të huajve, me tezat naive e pa asnjë nivel të “oktapodit Soros”, me përmendjen orë e çast të burgut e prangave, Gruevskit dhe Mic Sokolit, apo me batutat absurde ndaj gazetarëve.

Shqisa politike e Ilir Metës e ka ndjerë për së largu momentin delikat që po gatuhet në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Në njërën anë ai po sheh se konjuktura pozitive mes Ramës e ndërkombëtarëve mund të prodhojë situata shumë të disfavorshme ndaj tij dhe panelit të cilit ai i përket. Pasoja politike, por edhe juridike. Zbritja në fushë me shkop në dorë kundër ambasadorëve shënon fundin e durimit të Presidentit, për mënyrën sesi të huajt e kanë lexuar situatën në Shqipëri dhe sesi janë pozicionuar gjatë muajve të fundit ndaj ngjarjeve më të nxehta. Në anën tjetër, ashtu si në të shkuarën, Ilir Meta, por bashkë me të edhe një pjesë e mirë lidershipit të opozitës, nuk i shpëtuan dot kurrë frikës dhe ndrojes që ju vjen nga reforma në drejtësi. Ky objekt misterioz e me konturet e padallueshme, që mund të përfshijë në kthetrat e tij një listë personash që askush nuk është në gjendje t’ja lexojë përmbajtjen. Dhe fenomenet e padeshifrueshme rëndom nxisin frikë, logjike ose edhe të fantazuar.

Presidenca Meta ka hyrë kështu në një kurs përplasjeje që nuk ka më si kundërshtar vetëm Edi Ramën, por gjithçka dhe gjithkënd që del jashtë gardhit të opozitës së sotme. Ndoshta në këtë pikë ka ardhur momenti që gjërat të rikthehen në normalitetin e tyre të mëparshëm. Eksperimenti i Ramës i verës së vitit 2017, për ta nxjerrë Metën nga terreni partiak, e për ta “ngulur” atë në terrenin institucional, na solli një situatë edhe më të komplikuar. Ajo që dikur ishte kriza e një aleance të palumtur PS-LSI, sot është transformuar një terren lufte mes kryetarit të shtetit dhe pjesës së mbetur të institucioneve të shtetit. Ndoshta është momenti që të rikthehemi në gjendjen e mëparshme. Të rifitojmë një kryetar të fortë partie, e të lemë pas shpine një president që hyri i mërzitur në zyrën kreut të shtetit, e me gjasë do të dalë prej andej i zemëruar me gjithë botën…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • www.youngtribune.com: 06/07/2019 11:20

    Skender ponte drejtohem si ish komshi. Dil dhe beje publike listen e politikaneve shqiptare qe Departamenti I Shtetit I ka vene Kryeprokurores ne tryeze.

    Përgjigju
  • Drejtësia po vjen: 05/07/2019 19:15

    Z .Minxhozi ,,Ju të jepnit gjithmon përshtypjen se keni nji kapasitet dhe intelekt të lart,,,por gjithmon i përmbajtur.(i ndrojtur,i frikësuar)Por me këte artikull ndryshoj komplet mendim për Ju.Duhet ta dini se jeni të pakët.Dhe jeni zëri ynë.(i popullit)FLISNI MË FORT ,,MË DENDUR,DREJT,MË TROÇ.JU LUTEMI.SHUMË RESPEKT.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare