Minxhozi: Rama, Zhukri dhe një tufë lulesh për 21 janarin

Minxhozi: Rama, Zhukri dhe një tufë lulesh për 21 janarin

Kryeministri Edi Rama

Edi Rama ka kapur shtetin, kontrollon drejtësinë me duart e amerikanëve dhe Sorosit që konceptuan reformën në drejtësi! Kjo është ndoshta akuza më e shpeshtë që i është bërë në pesë vjetët e fundit Ramës dhe maxhorancës së tij. Një akuzë që dëgjohej në fakt edhe kur Adriatik Llalla nuk kishte dhënë ende dorëheqjen, e që lidhet padyshim me konceptin e vjetër se kush ka pushtetin politik kontrollon medoemos edhe sistemin e drejtësisë.

Cinizmi dhe ironia është që ta dëgjosh këtë frazë nga goja e asaj pjese të politikës që e shpiku dhe ngriti në sistem kontrollin mbi drejtësinë.  Është ajo pjesë e politikës shqiptare që ulej e hante darka në formë presioni mbi gjyqtarët, një natë para se gjykatat më të larta të shtetit të shpreheshin për zyrtarë të lartë të rënë në rrjetën e përgjimeve. Është ajo pjesë e politikës që doli pa u lagur nga asnjë pikë e vetme uji nga 21 janari, vjedhja e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, Rruga e Kombit, Gërdeci apo të tjera zullume që i kanë kushtuar shumë këtij vendi.

 I bëhej qeverisë socialiste kjo akuzë edhe kur Berisha ngrihej në parlament dhe hidhte nga podiumi më i lartë i vendit kushtrimin “Armatosuni”, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. I bëhej edhe kur opozita sulmonte me dallgë azapësh e jeniçerësh muret e institucioneve të shtetit, duke vënë në zjarr e flakë bulevardin qendror të Tiranës, sërish pa asnjë pasojë nga ana e institucioneve të drejtësisë, prokuroria apo gjykatat. Asnjë i hetuar ndër ata që jepnin urdhrat për mësymje mbi muret e shtetit.

I thuhet sot Edi Ramës kjo akuzë nga mëngjesi në darkë, edhe kur derën e qelisë po e shohin ministra e zyrtarë të lartë socialistë, apo edhe kur Gjykata Kushtetuese i jep një shuplakë publike kryeministrit, duke hedhur poshtë një demarsh serioz të Kuvendit të Shqipërisë për të shkarkuar Presidentin Meta. Në çdo rast dhe në cilëndo situatë shprehja në modë është “Rama kontrollon drejtësinë”! Nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur bukur, thotë proverbi.

Ironia e orëve të fundit është se një akuzë e tillë shabllone po përsëritet edhe pasi një gjyqtar me lidhje të pranuara nga vetë ai me Sali Berishën, i ka dhënë praktikisht në dorë çelësat e Partisë Demokratike ish-kryeministrit, duke formalizuar daljen prej andej të fraksionit të Lulzim Bashës. Nëse ka një akt të hapur dhe flagrant kontrolli dhe influence mbi drejtësinë, është pikërisht ky i Agron Zhukrit, demokratit fanatik të kthyer në gjyqtar, bashkëshortja e të cilit ka qenë hiç më pak sesa sekretarja personale e zotit Berisha. Për më tepër, vetë Agron Zhukri ka qenë ndihmës-gjyqtar në procesin e 14 shtatrorit 1998, kur ndaj Kryeministrisë morën shënjestër edhe antitanket. Dihet si përfundoi edhe ai proces: fajtorët e vërtetë nuk u prekën as me pupël!

Gjyqtari Zhukri ka qenë në një pozicion të tillë konflikti interesi me çeshtjen e gjykimit të Kuvendit-miting të 11 dhjetorit, saqë ka kërkuar vetë zyrtarisht që të mos e gjykojë dosjen në fjalë. A ka fakt më të qartë përplasjeje kontrolli mbi drejtësinë, se të mbash me dhunë në krye të një procesi një gjyqtar që e di dhe vetë se nuk i përmbush rrethanat etike dhe profesionale të gjykimit të një çeshtjeje?! Cili e detyroi Agron Zhukrin të gjykojë me zor davanë mes Berishës dhe Bashës dhe të japë verdiktin në favor të të parit: Edi Rama, Xhorxh Soros apo Juri Kim?!

E vërteta është se drejtësia shqiptare vijon të mbajë, ashtu si 10 apo 20 vjet të shkuara, një qëndrim prej hiprokriti dhe interesaxhiu ndaj çeshtjeve të nxehta të politikës së të gjitha krahëve. Eviton të hetojë, eviton të marrë në dorë arsenalin e madh të armëve që i ka dhënë ligji e të godasë korrupsionin, krimin dhe mbartësit e tyre. Funksionon më shumë si garante e pandëshkueshmërisë, sesa si garante e ligjit.

Sa për anësi ndaj njërës palë ose më keq, për tendenciozitet ndaj palës tjetër, kjo është relative dhe e pjesshme saqë çdo konkluzion i prerë me thikë është thjesht abuziv dhe larg të vërtetës.

Çdo 21 janar Edi Rama merr familjarët e 21 janarit për të vënë një tufë lulesh që tashmë është kthyer në një formalitet pa shije për ata  që prisnin drejtësi për atë ditë kur shteti vrau njerëz me duar në xhepa. Ndërkohë, ata që e urdhëruan 21 janarin janë të gjithë burra të mirë dhe kanë plane të mëdha për të ardhmen. Me drejtësinë “e kontrolluar nga autokrati Rama” që rri në sfond dhe vështron…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Grupi: 26/03/2022 17:41

    Nuk besoj te jesh kaq naiv ne ate qe ti shkruan dhe nuk e beson as vete. Rama ne bashkepunim me Berishen dhe Meten po ben lojen me te piset qe i eshte bere ketij populli. Te tre jane shtyllla qe mbajne njeri tjetrin. Luli i Vocerr u godit tani kur filluan kallezimet per inceneratoret. Meta doli "i paster " nga gjykata kukull kushtetuese dhe ne momentin qe po zjente urrejtja per qeverine Rama i jep Partine SHOKUT Sali. Jane shume rastesi per tu quajtur koincidenca dhe askush nuk e beson se Zhukri do kishte guximin per te dgebe nje vendim te tille pa miratimin " e kokave". Nuk dezinformohen njerezit keshtu zoti Minxhozi sepse jane te vuajtur dhe te vjedhur nga KJO POLITIKE 32 VJECARE. Sot nafta vajti 245 leke, gazi 110 leke dhe njerezit nuk protestojne sepse festojne rikthimin e Sali Qametit. Ky eshte pakti i djallit i tre dinosaurve qe po i marrin frymen shqipetareve. Lullin e perdorin per shplarje edhe perse ka thene te vetmen shprehje ne jete te vertete: Trekendeshi Bermudes. Koha dhe faktet po e vertetojne kete. Mos i bej pis ndergjegjen me keto analiza.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?