Vendimi u mor tre ditë pas takimit trepalësh në selinë e FIFA-s në Zyrih ndërmjet krerëve të FIFA-s, të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Federatës së Futbollit të Serbisë.
Kosova nuk ka të drejtë të luajë me shtetet e ish-Jugosllavisë.
FIFA ka lejuar një vit më parë që përfaqësueset e ekipeve të moshave të Kosovës të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, ndërsa përfaqësuesja A nuk ishte lejuar pasi Serbia ishte krejtësisht kundër diçkaje të tillë, me preteksin që nuk mund të luajë një përfaqësuese e një vendi që nuk ka emblemë e flamur.
Reagimi i Blater-it
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter është shprehur i lumtur për vendimin e Komisionit për Çështje Urgjente të FIFA-s, sipas të cilit, Kosova do të mund të zhvillojë ndeshje miqësore.
Ai ka vlerësuar se ky vendim është në të mirën e futbollit.
"I lumtur për vendimin e Komisionit për Çështje Urgjente të FIFA-s për Kosovën - një fitore pë zhvillimin e futbollit", ka shkruar Blatter në Twitter.
Modalitetet për Kosovën
Modalitetet për ndeshjet miqësore që përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës janë pranuar dhe hyjnë në fuqi menjëherë:
- Anëtaret e FIFA-s janë të lejuara që të luajnë ndeshje miqësore me klubet dhe kombëtaren e Kosovës.
- Klubet dhe kombëtarja e Kosovës nuk kanë të drejtë të shfaqin simbolet kombëtare (flamujt, emblemën, etj) e as ta lëshojnë himnin kombëtar. Sidoqoftë, ato kanë të drejtë të veshin apo të shfaqin paisjet me mbishkrimin ‘Kosovo’, si dhe simbolin e një ylli të madhësisë së shkronjës ‘o’ në kuadër te emrit ‘Kosovo’.
- Klubet dhe kombëtarja e Kosovës nuk mund të luajnë ndeshje kundër klubeve apo kombëtareve të shteteve të ish-Jugosllavisë deri në njoftimin e ardhshëm.
- Ndeshjet miqësore ndërkombëtare që përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës mund të luhen në territorin e Kosovës, por me kusht që FIFA të njoftohet 21 ditë para secilës ndeshje. Më pastaj, FIFA vetëm do ta informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.
- Çdo shkelje e kësaj marrëveshjeje do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja do të përfundojë menjëherë.









