Sot në orën 20:00 në stadiumin ‘Qemal Stafa’ Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen miqësore përballë Lituanisë. Ndeshja vjen menjëherë pas fitores mbreslënëse dhe plotësisht të merituar përballë Norvegjisë. Ekipi vazhdon përgatitjet në qytetin e Durrësit nën urdhërat e teknikut Italian, të cilëin e kanë zënë ethehet e ndeshjes së kthimit me nordikët. Në prag të ndeshjes përpara mediave kanë dalë dy futbollistë të ekipit kombëtar, mbrojtësi Debatik Curri dhe sulmuesi Edgar Çani.

Mbrojtësi vjen pas një dëmtimi të gjatë dhe luajti pak minuta në Norvegji, por sot do të nisë nga minuta e parë. “Nuk ndihem në kondicionin më të mirë fizik, por do të jap maksimumin sot përballë Lituanisë. Më shumë se fitorja e rendësishme është që futbollistët e rinj të tregojnë vlerat e tyre në një miqësore, pasi kanë pasur pak hapësirë” shprehet Curri. Ndërsa sulmuesi Edgar Çani është ndalur te kualifikimi në kampionatin botëror Brazil 2014 duke theksuar se ëndrra është shumë pranë realizmit.

“Nuk duhet që të heqim dorë nga ëndrra e kualifikimit, jemi pranë dhe nëse vazhdojmë kështu nuk na ndal askush” deklaron Çani. Sot De Biasi do të provojë skemat për zëvendësimin e Canës në mbrojtje, Lilës dhe Roshit në mesfushë. Por mbi të gjitha sot pritet që të debutojë me fanellën kuqezi Valdet Rama, lajmi përcillet me jehonë edhe në mediat spanjolle. Rama është mesfushorë me tipare sulmuese. Ndërsa në sulm Sadiku dhe Çani do të tentojnë që të shënojnë fitoren për Shqipërinë kundër Lituanisë. Në stadium parashikohet që të jenë një numër konsiderueshëm tifozësh.



Dylber Balla