Përfaqësuesja e Holandës ka fituar ndeshjen e radhës përgatitore kundër Sllovakisë me rezultatin 2:0, mirëpo kjo fitore gati sa nuk u kushtoi rëndë "tulipanëve". Ndeshja nisi mjaft keq kur u përplasën kokë me kokë mbrojtësit holandezë John Heitinga e Wilfred Bouma.

Ky i fundit u dërgua në spital pas pjesës së parë. Mirëpo, të dy do të jenë në gatishmëri në nismë të Evropianit. "Unë kam pasur një të ënjtur mbi syrin tim pas minutës së parë. Por, jam i lumtur me fitoren, pasi na bën mirë për vetëbesim", ka thënë Heitinga, shkruan faqja zyrtare e UEFA-s.

Po ashtu, edhe mesfushori i Interit, Wesley Sneijder u largua nga loja me lëndim të nyjës së këmbës, por sipas përshtypjes së parë lëndimi nuk duket të jetë serioz dhe ai nuk rrezikon Euro 2012.(rb/shqiptarja.com)