Shqipëria ka humbur ndeshjen miqësore përballë Rumanisë që u zhvillua në stadiumin e Yverdonit në Zvicër me rezultatin minimal 0-1. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian De Biasi vazhdojnë që të ndëshkohen në minutat e fundit duke çuar dëm të gjithë mundin dhe djersën e gjithë takimit.

Pavarësisht se ishte një ndeshje miqësore dhe rezultati nuk kishte shumë rëndësi, kuqezinjtë treguan se ende nuk janë gati për eliminatoret e kampionatit Europian të Francës që nisin në shtator. Shqipëria e nisi mjaft mirë ndeshjen duke luajtur si e barabartë me një kundërshtar që është shumë herë më lart. Madje në shumë herë e vendosi në vështirësi Rumaninë dhe mund të kishte shënuar nëse Kapllani, Cikalleshi apo Rama do të ishin treguar më të saktë para portës.

Ndërsa rumunët u treguan shumë të kujdesshëm përpara portës së tyre duke u mbrojtur me fanatizëm për të shfrytëzuar një rast të mirë në minutën e 81 për të shënuar golin e fitores. Veterani Razvan Rat shfrytëzoi gafën e Lilës në mbrojtje, por edhe të kolegëve të tjerë të prapavijës, të hutuar duke nxjerr “blof” edhe portierin Berisha dhe dërguar sferën në rrjetë.

Mungesa e 9 titullarëve, mbi të gjitha e Mavrajt dhe lodhja pas një edicioni intensiv ndikuan shumë te prapavija kuqezi që nuk arriti të ruante toruan deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit për të shmangur të paktën humbjen. Ndërsa Rumania përpos stimulit për fitoren, thellon edhe statistikat me kuqezinjtë, pasi ka gjetur fitoren e 11-të në 16 ndeshje të luajtura gjatë gjithë historisë.

Prag sfida
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian, De Biasi sonte në orën 19:00 do të kërkojnë hakmarrjen përballë Rumanisë për humbjen e thellë të para pak viteve. Edhe pse është thjeshtë një test kontrolli, tekniku kuqezi ka deklaruar se do të zbresim në fushë për të fituar, pavarësisht se do të ketë 9 mungesa.

Të shtunën kuqezinjtë në St Gallen të Zvicrës përballen me Rumaninë, ndërsa mungesat janë: Jahmir Hyka, Ledian Memushaj, Migjen Basha, Odise Roshi, Alban Meha, Armando Sadiku, Taulant Xhaka, Vullnet Basha. Ndërsa Mërgim Mavraj është liruar me leje pas impenjimeve me Këlnin. Mungesat e shumta nuk i kanë lënë shumë hapësirë për eksperimente teknikut italian, i cili megjithatë duket se do të ketë fokusin te sulmuesi shkodran, Armando Vajushi.

Para ndeshjes trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, De Biasi deklaroi se "Nuk kemi fituar kurrë kundër Rumanisë dhe kjo tregon për cilësinë e kësaj skuadre. Shpresoj dhe besoj se do të kemi një performancë të mirë, por nuk mund të them me shumë mbi rezultatin final të ndeshjes" tha ai. Shqipëria pritet të zbresë në fushë me Etrit Berishën në portë, ndërsa para Lila, Cana, Curri ose Aliti dhe Agolli.

Në mesfushë Abrashi do luajë përkrah Kaçes dhe Vilës, ndërsa në linjën e sulmit Shkëlzen Gashi dhe Valdet Rama do të ndihmojnë Hamdi Salihin. De Biazi pritet të bëjë të paktën 6 zëvendësime, çka do të thotë se do të luajnë thuajse të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Pas përfundimit të këtij takimi, më 1 qershor ekipi udhëton për në Hungari, ku do të ndeshet me kombëtaren vendëse më 4 qershor në stadiumin “Ferenc Pushkash” në orën 20:30.



d.b/shqiptarja.com