Miqësitë e rrezikshme, krerët e
policisë foto me mashtruesin

Miqësitë e rrezikshme, krerët e<br />policisë foto me mashtruesin
TIRANE - Fotot e dy ditëve më parë, të publikuara nga Shqiptarja.com dhe A1 REPORT!, ku i dyshuari për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku, shfaqej duke drekuar me drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, nuk janë të vetmet që e inkriminojnë kupolën e uniformave blu.

Gazeta Shqiptarja.com, ka zbuluar disa foto të tjera ekskluzive, ku një supermashtrues shfaqet me disa drejtues të lartë të policisë së shtetit, si dhe një foto ku ai është duke biseduar me bashkëshorten e kryeministrit, Liri Berishën, pak kohë pasi ai të akuzohej e shpallej në kërkim për mashtrime me shuma marramendëse.

Bëhet fjalë për Indrit Aliun(në foto djathtas), të riun nga Vlora, i akuzuar për grabitjen duke mashtruar përvetësoi më shumë se 3 milionë euro dhe u zhduk nga Shqipëria në vitin 2008. Por, në kohën e fotografive, ishte në kulmin e mashtrimeve të veta, ndërkohë që premtonte me bujë, ndihma në logjistikë për policinë. Madje, kishte dhe shumë miq në drejtimin e Policisë së Shtetit.

FOTOT

Nëpërmjet një e-maili, në redaksinë e gazetës “Shqiptarja.com”, kanë mbërritur disa fotografi, ku Indrit Aliu, në kohën që ishte në kulmin e mashtrimeve të tij, njeriu që premtoi se do të bënte dhurata miliona euroshe për policinë shqiptare, duket me disa prej krerëve më të lartë të saj.

Në njërën prej fotove, ai shikohet qartë duke biseduar me disa prej drejtuesve kryesorë të policisë së Tiranës. Nikollë Vatnikaj, Krenar Ahmetaj dhe Gjergji Jorgo, janë tre oficerët me grada të larta që shikohen në foto, në atë kohë, në poste kyçe në radhët e uniformave blu në Tiranë.

Ata shikohen teksa bisedojnë në këmbë gjatë një mbrëmjeje gala ose aktiviteti tjetër. Në këtë të fundit, duket qartë se e ftuar ka qenë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Zonja Liri Berisha. Kjo e fundit, është kapur nga fotografët teksa bisedonte me vlonjatin Aliu, i cili pak kohë më pas, do të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Megjithëse nuk ka informacione se për çfarë flitej, hamendësimet janë të qarta. Me oficerët e lartë të policisë së Tiranës, duket se ka qenë duke biseduar për uniformat që do t’i dhuronte policisë, ndërsa me zonjën Berisha, në lidhje ndonjë bamirësi të tij.

Në atë kohë, ai drejtonte fondacionin “Dejs&Partners Consulting” dhe në emër të tij, pasi kishte mashtruar dhejtra njerëz, duke u marrë mbi 3 milionë euro, i premtoi policisë së shtetit në vitin 2008, sponsorizimin e prodhimit të uniformave të reja për 10800 efektivë të saj kohe, punë që e kapte shifrën 13 milionë euro.

Veshja e re, pritej të dorëzohej në vitin 2010, por nuk u bë kurrë më ndihmën e Aliut. Po ashtu, falë njohjeve personale me disa nga zyrtarët e lartë të policisë së shtetit, Indrit Aliu kishte shfrytëzuar këtë marrëdhënie për t'u bërë publik si një dhurues i pajisjeve të punës për strukturat e rendit në vend. Një prej këtyre rasteve, veç asaj të uniformës, ka qenë premtimi për t'i dhuruar pajisje kompjuterike policisë së Tiranës.

MASHTRUESI

Pas premtimeve të shumta për donacione, Indrit Aliu u zhduk nga Shqipëria, pikërisht në vitin 2008, duke lënë kështu me “gisht në gojë” dhe policinë, të cilës i kishte premtuar ndihma në vlera marramendëse. Menjëherë për të nisen denoncimet e dhjetëra personave, të cilëve në total u kishte marrë me anë të mashtrimit mbi 3 milionë euro.

Pas shpalljes në kërkim, në vitin 2010 ai u arrestua në Greqi dhe prej andej u ekstradua në vendin tonë. Ndaj tij nisi procesi gjyqësore, ky gjykata dënoi me 15 vjet burg, nga të cilat do të vuajë vetëm 10 për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky vendim, u la në fuqi dhe nga Apeli, duke marrë dhe formë të prerë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad Dodikun

SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad Dodikun