Ylli brazilian i sulmit, Neymar, nuk është përfshirë në listën e kombëtares së këtij vendi për ndeshjet e muajit mars, që përbëjnë testet e fundit para Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Trajneri Carlo Ancelotti, i cili mori drejtimin e ekipit pas largimit të Dorival Junior, vendosi të mos e grumbullojë sulmuesin 34-vjeçar të Santos FC për dy miqësoret ndaj Francës dhe Kroacisë.
Brazili do të përballet fillimisht me Francën më 26 mars në Boston, ndërsa më 31 mars do të luajë ndaj Kroacisë në Orlando. Këto ndeshje konsiderohen prova të rëndësishme përpara Botërorit të vitit 2026.
Neymar, golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane, nuk ka luajtur për 'Seleçaon' që nga tetori i vitit 2023, pas një dëmtimi serioz në gju që përfshinte ligamentin e kryqëzuar dhe meniskun.
Edhe pse së fundmi u rikthye te Santos dhe ishte përfshirë në disa lista paraprake gjatë marsit, shqetësimet për gjendjen e tij fizike, lodhja muskulore dhe mungesa në një ndeshje të klubit për shkak të menaxhimit të ngarkesës duket se kanë ndikuar në vendimin e Ancelottit.
Për momentin mbetet e paqartë nëse Neymar do të jetë pjesë e listës përfundimtare të Brazilit për në Kupën e Botës.
Komente








