Kombëtarja shqiptare e fubollit luan me Katarin në 9 nëntor një test miqësor. Në Marbella të Spanjës duke nisur nga ora 18:30 kuqezinjtë do kenë mundësi të tregojnë forcën kundër një ekipi që merr pjesë në Kupën e Botës 2022. Për këtë duel, trajneri Edy Reja ka zbardhur edhe listën me 23 lojtarët e grumbulluar.
Në emrat e italianit Reja, 21 prej tyre janë pjesë e Superligës shqiptare, teksa vetëm Shala dhe Abazaj vijnë nga jashtë elitës së Shqipërisë. Për këtë përballje janë ftuar edhe pesë lojtarë nga Partizani dhe katër nga Tirana. "Derbi" edhe në Kombëtare për emrat e thirrur, me italianin e stolit që këtë herë ka marrë një lojtar më shumë nga "Demat e Kuq".
Nga Partizani janë grumbulluar Andi Hadroj, Tedi Cara, Eneo Bitri, Xhuliano Skuka dhe Arinaldo Rrapaj. Nga Tirana emrat që do jenë në këtë grumbullim janë Ardi Deliu, Marsel Ismajlgeci, Redon Xhixha dhe Sherif Kallaku. Kujtojmë se njëjtë si miqësorja e barazuar 1-1 me Arabinë Saudite, edhe kjo sfidë e kuqezinjve nuk do transmetohet direkt për tifozët.
Komente











