Bad Bunny ose Lepuri i keq.

Një pseudonim që rreket të thotë se edhe kur je i egër, mund të jesh i butë. Dhe ai e bëri pikërisht këtë: e zbuti botën amerikane duke e tronditur për mirë. Jo me britma, por me gjuhën e dashurisë pikërisht në ditët e saj më të çuditshme.

Amerika po jeton një polarizim ekstrem: urrejtje, bullizëm, ndarje të thella, deri edhe vrasje. Një vend që deri dje ishte atdheu edhe i Tjetrit, sot e sheh Tjetrin si armik.

Çfarë bëri një artist i vetëm që i kujtoi botës se forca më e madhe se urrejtja është dashuria?

Duke kthyer personalitetin e tij të fortë portorikan në art, Bad Bunny ka kohë që ngjitet gjithnjë e më lart. Djali që në adoleshencë fuste ushqimet e njerëzve në qese në supermarket, sot është një nga figurat më virale në botë jo vetëm për suksesin, por për domethënien. Për mesazhin.

Super Bowl është një ngjarje madhore për Amerikën. Dhe siç e ka zakon Amerika në Hollywood, në sport, në art, politika nuk mungon kurrë. Ajo nuk bërtet gjithmonë, por flet. Këtë herë, foli përmes Bad Bunny-t.

Ai nuk shkëlqeu në kuptimin klasik.

Ai bëri histori.

Pa sforco.

Duke qenë thjesht ai që është: një djalë portorikan. Me shumë talent. Edhe karakter!

Çfarë është në gjendje të bëjë një artist i vetëm?!!

Atë që nuk e bëjnë dot miliona bashkë.

Atë që nuk e bën dot me urrejtje, sado e organizuar të jetë./ TiranaPost