Mirash Ivanaj,ç'tha në hetuesi për
ditën e pushtimit e jetën në arrati

Mirash Ivanaj,ç'tha në hetuesi për<br />ditën e pushtimit e jetën në arrati
Ditën e 7 prillit  1939, ndërsa ushtria italiane zbarkoi në Durrës, mes forcave shqiptare që dolën t’i bënin ballë pushtimit ishte edhe Mirash Ivanaj, ish-minsitri i arsimit i emëruar në në këtë post në vitin 1933 e më vonë kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i mbreit Zog, deri në ditën e pushtimit të vendit. Faktin e daljes së tij në luftimet e para ditën e pushtimit të Shqipërisë, e gjejmë edhe në një varg dokumentesh të dosjes së tij hetimore, pas arrëtimit më 15 maj 1947, kur në Shqipëri ishte vendosur regjimi komunist.

Pas prillit 1939, ndërsa Shqipëria u  vu nën pushtimin e Italisë fashiste, Mirash Ivanaj ndoqi një varg peripecish në arrati duke nisur nga Greqia ku ndoqi bashkë me ushtarakë të tjerë largimin e mbretit Zog, më vonë një kohë të gjatë në Turqi, Jeruzalem,  e deri në kthimin e tij në atdhe në tetor të 1945.  Pas kthimti në Shqipëri, për muaj të tërë Mirash Ivanaj ishte vënë nën survejim nga Sigurimi i shteit. Arrestohet në 15 maj të 1947 dhe pas muajve të gjatë në hetuesi gjykata dha vendimin për ta dënuar me 7 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. Në fund të kryerjes së dënimit Mirash Ivanaj ndahet befas nga jeta pas një operacioni të thjeshtë, vetëm 12 ditë para se të lirohej.
Dosja e tij hetimore përmban shumë informacione të mbledhura kryesisht nga survejimet që i ishin bërë para arrestimit dhe deklarimet e tij në hetuesi. Nga dokumentacioni i kësaj dosje (i deklasifikuar) do të sjellim për lexuesit një varg dëshmish nga marrja në pyetje në hetuesi dhe raportet e depozituara nga punonjësit e Sigurimti të Shtetit nga periudha që Mirash Ivanaj ishte vënë nën survejimin e tyre e deri në arrestimin e tij.

Sot botojmë pjesnë e parë të deklaratës së tij në hetuesi, ku tregon momentet pas pushtimti të vendit, arratisjen në Greqi, dhe gjithë ngjarjet e përjetuara deri në kthimin e tij në atdhe. 
 
Dokumenti i plotë
D e k l a r a t ë
 
Ditën e 7 Prillit 1939 kaluem me vëllanë tim (që ishte i smund) në kopshtin që ishte para komandës së gardës, pse H. Selmani na kishte premtue t’na pranojë si vullnetarë. N’akshamin e asaj dite pamë se H. Selmani hypi n’auto dhe u largue. Pak ma vonë, në muzgun e parë, prej komandës doli një oficer dhe na tha se H. Selmani asht largue dhe se s’kthehet më pse lufta do të bëhet si duket në Korçë. Na këshilloj të përfitojmë nga kamionat ushtarakë. Kshtu, pa u kthye në shtëpi muerëm atë drejtim, në fillim me nji auto-veturë të njij të njoftunit t’im (XH. Nushi) e pastaj dhe me kamiona ushtarakë, si bajshin edhe disa t’ikur të tjerë. Në Zëmblak muerëm vesh se Zogu me qeverin kishte marrë rrugën e Greqis (Kapështicë) kshtu kaluam edhe na kufirin bashkë me civila dhe oficera. Autoritetet greke na mblodhën në Florinë (8 Prill). Po atë ditë e pashë Zogun, i cili, me kambë ecte në nji rruginë të hotelit dhe tha se Shqipërija mund të shpëtojë me anën e njij revolucioni n’Itali ose me një luftë botnore. Me 9 Prill autoritetet me tren na dërguan në Larissë. Këtu qëndruam 22-23 ditë. Në kohën e parë dojshin me na internue në Volas, por pastaj kërkuem daljen t’onë jashtë Greqis. Aty në Larissë Zogu me anën e St. Stavro u dha të gjithve nga 4 muej 1/2 rroge. Nuk dij nëse ndokush ka marrë ma tepër. Mue më ranë 1600 franga. Dy nga Ministrat (E. Libohova dhe R. Gera) u kthyen (nuk di), në Shqipëri pse n’Itali ose gjetiu, pse unë me t’a nuk flitshe; u kthye edhe një sasi e madhe oficerash dhe civilash. Më duket se dy të rinj shkuen në Francë. Zogu kishte nxjerrë vizën kolektive për sa shqiptarë dojshin me shkue në Turki. Unë e vëllau përfituem nga ky rast, pse nuk kishim pasaportë dhe asnji dokument t’indentitetit. Kshtu banë edhe disa të tjerë që kishin far-fis në Turki. Na dy muerëm këtë rrugë edhe për arsye se e gjykojshim se do të na jetë e mundun të jetojmë tue gjetë punë në kolonin e madhe Shqiptare të Stambollit. (Në Larissë u-përhap fjala se Zogu n’asnji mënyrë nuk pranonte asnji angazhim për mbajtjen e shqiptarëve t’ikun dhe secili kishte liri të bajë çka të dojë). Në Larissë unë u-takova me Zogun.

     Në Stamboll arijtëm në ditët e para të muajit. Ditën e aritjes vëllau ra pak i smund dhe e çova në një spital jashtë Stambollit (2 km.). Këtu kam qëndrue më tepër për 13 muej, deri në vdekjen e tij.

     Në Stamboll Zogu qëndroj, besoj, 2 muej. U pashë me të 2 herë, herën e parë pak ditë pas aritjes: Ay takim u ba për këtë arsye: Ai kishte ngarkue qeverinë që të pregatisi një protestë Shoqnis së Kombeve kundër Italis. Ky shërbim m’u ngarkue mue po prej qeveris (Kota kishte ngelë në Greqi) dhe at’here passi e bana të gjithë u-pamë me Zogun, i cili e pëlqeu. Herën e dytë u pashë me Zogun vetëm (në mos gaboj pak ditë para nisjes) dhe më tha kaq: se ai ka ndërmend të krijojë një Komitet të përbam prej 3 vetësh dhe këtu përmendi Kotën (që ishte ende në Greqi, më duket) dhe mue. Me nji herë refuzova pranimin për shkak të Kotës, me të cilin nuk dishrojsha me punue. Besoj se ky bashkëfjalim nuk asht zgjat ma se 10-12 minuta. Prej asaj kohe s’e kam pa ma Zogun.

Në vjeshtën e 1939 arrijtën në Stamboll Qemal Butka, Dalip Zavallani dhe Branko Merxhani. Me këtë të mbramin nuk i njifshe as jam njoftë në Stamboll, pse ai me nji herë kori me frekuentue njerzit e regjimit të vjetër (Musa Jukën, M. Konicën), ndërsa dy të parët s’mbajtën me ta as ma të voglin kontakt. Si thaç për 13 muej unë po thuej s’dola prej spitalit, por gjatë kësaj kohe s’asht ba asnji veprim politik, me përjashtim të botimit të nji libreze përkujtimore të 7 Prillit 1940. Këjo librezë, shqip e frëngisht, u-botue prej këtyne të 4 vetve: Zavallanit, Butkës, Shaqir H. Kastrati dhe Servet Haxhulli dhe se kam marrë vesh, shkaktoj hidhënimin e madh në M. Konicën. Veç kësaj libreze u-botue me 10 maj, nji kartolinë me nji figurë simbolike të bame prej Butkës.

Po në këtë kohë (Verë 1940) ishte ndigjue se kishte ardhë nji ose ma shumë ingliz në Stamboll dhe se kishin folë me Musa Jukën qi banonte andej detit. Por gja s’dolli në shesh. Në shesh-dolli ky fakt: në Tetuer (më duket nga fundi) erdhi Sterlingu (që dikur ka qenë në Shqipëri) si edhe Abdul Sulo nga Egipti. Ky mbante fshehtë qëllimin e ardhjes së tij, por Qemal Butkës i thotë se inglizët kanë në mend me formue nji komitet aty në Stamboll me disa vetë: M. Juka, M. Konica, B. Merxhani, A. Sulo, Q. Butka. Qemali refuzoj pranimin, tue kërkue që komiteti të jetë i hapët dhe i njoftun, që Anglija të bajë nji deklaratë mbi të drejtën e rimëkëmbjes së Shqipnis si edhe në komitet të mos marri pjesë asnji nga njerzit e rexhimit të vjetër. Me kaq mbaroj këjo punë.

Nuk mund të dij nëse ka ekzistue ky komitet aty, pse s’ka ba as ma të voglin akt veprimi.
Unë personalisht nuk jam takue me asnji të huej prej ditës së daljes deri në ditën e kthimit në Shqipërin e lirë.
Në mbarim të Tetorit 1940 Italija i shpalli luftë Greqis. Të katër personat e përmendun ma naltë hartuen një protestë n’emën të Shqiptarëve të Turkis dhe kërkuen edhe nënshkrimin t’im. Unë e pëlqeva këtë akt dhe e nënshkrova bashkë me Servetin, Delfin dhe Qemalin. E paraqitmë të gjitha Konsullatave të Stambollit. Si mora vesh, këtë protestë e ka njoftue radio i Athinës, e radio Tirana-prap si na thanë, por neve s’kemi ndigjue gja – i asht përgjegjur në nji konferencë të mbajtur prej T. Toçit.
Në ditët e para të Nandorit 1940 Çurçilli në një fjalim që ka mbajtë kishte përmendë shtetet e shkeluna prej fashisto-nazistëvet, tue heshtë emnin e Shqipnis. Prap na të katër i dërguam një telegram Çurçillit tue u ankue se Shqipnija – i pari shtet n’Evropë i shkelun që e ka kundërshtue fashizmin – nuk përmendet. Në Dhetuer 1940 nji protestë n’emën të Shqiptarëvet të Turkis kundër sjelljes greke në Shqipnin e Jugut (sidomos në Korçë) që u paraqitë konsullatave.

Më 7 Prill 1941 u-botue libreza e dytë përkujtimore e 7 Prillit 1939 prap me nji figurë simbolike si e para, ashtu edhe këjo u dërgue me shumicë ndër shqiptarët e jashtëm, si dhe në Shqipni.

Të gjitha këto veprime u-bënë pa as ma të voglën pjesëmarrje të njerzve të vjetër, bile me keqardhje të tyre.
Passi në muejin Prill 1941 u-pushtue Jugosllavija dhe Greqija në Turki botënisht besohej se Turkija ishte për t’u sulmuar. Kshtu edhe me ndihmën e vetë qeveris, filloj edhe avakuimi vullnetar i banorëve të Stambollit. Na të katër kërkuem vizën për në Egypt, por këjo na u refuzue. Po në këtë kohë A. Sulo i tha Q. Butkës se Anglija don me njoftë Shqipnin si shtet luftues tue pasë dhe nji komitet të njoftun, që do të krijohej jashtë Turkis (Egipt) me disa shqiptarë nga të Turkis dhe disa të tjerë të jashtëm. Nga të Turkis ndodheshin A. Sulo, B. Merxhani, Q. Butka. Tue mos i besue këtij lajmi, Butka u pa me Sterlingun, i cili i tha tekstualisht: Anglija dishron të krijohet nji komitet i shqiptarëvet, i cili do të njifet dhe i kërkoj nëse pranon të bajë pjesë në të, tue u sigurue se nga njerzit e vjetër dhe përgjithësisht nga shqiptarët e Turkis nuk do të jetë asnji përveç B. Merxhanit, A. Sulos dhe Q. Butkës. Kërkoj edhe përgjegjen e Qemalit. Ky, pas këshillimit me ne, e pranoj. Me rastin e këtij pranimi Sterlingu propozoj që edhe unë të hyja në këtë komitet. Qemali me gjith se dinte mendimin t’im, m’a tha kët propozim. Unë e refuzova pse ishe, si jam edhe sot, si fizikisht ashtu moralisht jo në gjendie të vepronje aktivisht.

Pas lutjes së Qemalit viza m’u dha deri në Jerusalem, tue premtue vizën për ma vonë deri në Egypt. Në Jerusalem arrijtëm në Qershuer 1941. Aty arrijtën B. Merxhani dhe Sulo (Q. Butka nuk fliste me B. Merxhanin). Për 3 muej rresht komiteti nuk u-krijue, asnji akt i njohjes së Shqipnis nuk u-ba, Sterlingu, që shpesh largohej nga Jerusalemi, disa herë i tha Qemalit se komiteti do të bahet dhe se të ketë durrim. At’here pas tre muejvet, kërkuem vizën nga Egipti; na u-refuzue; Qemali i shkruejti njij miku në Kairo (Gjeço-s), por dhe ky s’arrijti dot me na e nxjerrë vizën. At’here e kërkuem vizën e Turkis, që na u-dha. Në muejin Mars 1942 muerëm vizën e daljes nga policija e Jerusalemit, por ditën e nisjes Qemali u-njoftue nga policija politike që të mos niset, pse me të vërtetë komiteti Shqiptar do të bahet. Qemali nuk u bind dhe u nisëm. Në Kufi të Siris policija e ndali Qemalin tue i thanë që të kthehet në Jerusalem. Unë at’here kërkova lejen që të kthehem edhe unë. Këjo m’u dha. Pas gati dy muejve (fundi i majit) që të i a bajë të mujtun qëndrimin në Jerusalem Qemalit u-nisa për në Turki. Për Komitet nuk u-ba gja në Jerusalem. Besoj pas 6 muejve Qemalit ju dha viza për Egipt, ku shkoj dhe ka qëndrue deri pas ardhjes s’ime këtu (3 vjet). Tue punue profesionin (arkitekt) me ndihmën e shqiptarëvet t’atjeshëm (Avramidhi ose Avramushi). Në 1942 n’Egipt shkoj edhe Zavallani (që u ba atje mësues i gjuhës shqipe). Këta të dy bashkë me Gjeçon kanë zhvillue një aktivitet të madh politik anti-zogist, tue pre ç’do marëdhanie me legatën që mbante A. Sulo, aq sa pasaportat e ra u dërgoj konsullata jonë e Stambollit.

Në Stamboll në vjetin 1942 nuk dolli libri përkujtimuer i 7 Prillit për arsye se aty ishte shtet-rrethimi dhe e ndaloj shtypin. Por në vjetin 1943 ky libër dolli (ma se 50 faqesh) në Kairo prej Butkës, Zavalanit dhe Gjeços. Në mos gaboj po në këtë vjet ata themeluan degën e shoqnis anti-fashiste shqiptare. Kanë organizue nji festim të madh me rastin e çlirimit të Shqipnis në të cilin kanë marrë pjesë shumica e shqiptarëve të vendit dhe fotografin e Zogut që donte me e shti mbrrend A. Sulo, e kanë ulë. Ka ndërhy edhe policija e vendit.

Për sa më përket, prej 1942 deri në mbarim 1945 që kalova në Stamboll nuk jam takuar me tjetërkënd përveç me Shaqir Hajrulla Kastrati dhe Servet Xhaxhuli, me të cilët rregullisht 2-3 herë në muej përpillojshim nji boletin lajmesh shqiptare e sidomos të lëvizjes s’armatosun kundër okupatorit. Këto boletine u drejtoheshin konsullatave të vendit (edhe ato kishin boletine të veta), Gazetave të Stambollit dhe korespondentëve të huej. Shumë prej këtyre  lajmeve janë botue në gazetat e botës dhe thanë prej randervet. Ditën e çlirimit të Shqipnis Konsulli Shaqir H. Kastrati e kremtoj tue ftue të gjithë konsujt e huej dhe disa nga kolonija e jonë (tregtarë e panterë).
Po sa kam mujtë me heq në korrespondencë-telegrafike me Ministrin t’onë në Beograd, nxora lejen e kthimit dhe lehtësimit e udhëtimit.
Me 1 Tetuer 1945 arrijta në Tiranë.

Si kam thanë, për 13 muejët e parë e pastaj edhe për disa të tjerë nuk kam mujtë me u interesue aspak për ç’ka bajnë njerzit t’onë në Turki. Por pastaj kam marrë vesht se s’kanë ba apsolutisht asnji veprim në favor të çashtjes s’onë. Janë interesue më tepër për vedi. Disa qysh vjetin e parë kanë hyrë në kontakt me konsullatën Italiane për me u nxjerrë lejen e kthimit. Kshtu në Prandverë 1940 u kthye F. Shatku, Ministër i Drejtësis, pak ma vonë kur ishe unë në Jerusalem, janë kthye të tjerët: M. Konica, H. Delvina, A. Dibra.

Për lidhjet e M. Konicës me të huejët nuk dij gjë tjetër përveç çka kam thanë, por dij se kishte kontakte të vazhdueshme me njerzit e vjetër. Përgjithësisht me M. Konicën s’kam folë as para 1939 e në Stamboll aq ma pak.

A. Jakova asht dukë në Stamboll në verë 1943 (2-3 muej para kapitullimit t’Italis). Përveç një përshëndetje të thatë me të s’kam bisedue gja. Ka vizitue disa nga shqiptarët, por në 3 vetë s’ka mbajtë kontakt. Lajmet që pruni nga Shqipnija nuk ishin në disfavor të N.Ç. por naltësojshin ma tepër Ballin. (At’here në Stamboll nuk e kishte bota shqiptare ende të kjartë iden mbi N.Ç. dhe Ballin, me gjithëse na mundoheshim me dhanë spjegime, pse deri diku kishim kuptue çashtjen prej disa numurave “Zëri i Popullit” dhe ma vonë edhe prej nji manifesti, në mos gaboj të firmuem nga 9 veta. Këta numura “Zëri i Popullit” më kishin ardhë me postë dhe nuk dij se kush m’i dërgonte. Nuk mund të thom se kurë ka ikë nga Stambolli, ku nuk ka qëndrue shumë. Kam marrë vesht se asht takue me Fultz-in në Stamboll, por s’kishte mbetë shumë i kënaqur pse ky s’i kishte thanë arsyen e ardhjes. Më duket se Fultz-i s’ka qindrue më shumë se 10-15 ditë. A. Jakova, si thuhej, kishte lidhje më tepër me Inglizët se sa me Amerikanët.
Lajme të mira nga Shqipërija e sidomos për veprimtarin e N.Ç. i pruni e shoqja e tij që erdhi pak pas kapitullimit t’Italis. Por edhe ajo la Stambollin pas burrit. Nuk dij se ku kanë shkue, por thuhej në Bari.

Po sa kam ardhë këtu jam takue o në hotel (Kontinental) o në rrugë besoj me qindra vetë, shumë prej të cilëve nuk i njifshe. Ndër këta, vetëm ditën e parë në hotel, jam pa me Gjergj Kokoshin, i cili u interesue për vëllaun e vdekun dhe përmbi qëndrimin t’im në Turqi, më tha pastaj se kam ba mirë me ardhë pse s’kishte ma hije të qëndroje jashtë, tue qenë Shqipnija e lirë. Këtë gjë i a pohova, tue i thanë se e vetmja arsye e ardhjes s’ime asht këjo. Më pyeti se s’ka kam në mend me ba (ç’farë shërbimi). Ju përgjegja n’arsim. M’u ankue se ende s’ishte mirë me smundjen e vetë. I thaç edhe se në Stambull kam marrë vesh emnimin e tij si M. Arsimit (e me të vërtetë nga Kairo prej Butkës na kishin ardhë të gjitha vendimet e Kongresit të Përmetit të poligrafueme). I shpreha enthuziazmin për ndryshimin shpirtnuer që gjeta në Shqipni.  
 
Në mos gaboj në muejin Nanduer t’atij vjeti kur kishte marrë vesh se ishe tue transportue librat nga biblioteka në shtëpi, erdhi për vizitë, por mbeti pak minuta pse unë ishe në shtrat i smund e s’mujta as me i tregue as librat. Biseda e jonë e shkurt u-zhvillue rreth shkollës – ku n’ato ditë ishe emnue mbi sistemimi shtatvjezuer, mbi librat që më mungojshin (për të cilën mungesë unë at’here s’mujta me i dhanë s’pjegim). Nuk folëm gja për politikë – Harova të them se në pjekjen e parë më tha – kurë i a përmenda Kongresin e Përmetit – se si ka dalë në mal dhe se si ka shkue n’atë vend. Me këtë njeri jam pa dhe dy herë në dhomën e profesorëve të shkollës në pushim në mes dy orësh, pushim që at’here ishte vetëm 5 minuta. Në këto pushime ishin në dhomë gjithmonë 10-15 profesorë. Nji herë jemi ndeshë në rrugë kundrejt Sahatit dhe vetëm përshëndeti.


  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi