TIRANE - Presidenti i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, përshëndeti sot miratimin konsensual të Kodit të ri të Zgjedhjeve nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Ky akt i përgjegjshmërisë dhe pjekurisë së klasës politike, si produkt i frymës së bashkëpunimit konsensual parlamentar, është një garanci e shtuar në shërbim të një prej proceseve themelore të demokracisë funksionale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, është shprehur Nishani.

Presidenti Nishani, shpreh besim për vijimin dhe konsolidimin e “kësaj fryme mirëbesimi dhe bashkëpunimi midis maxhorancës dhe opozitës dhe në çështje të tjera të rëndësishme të reformave të kërkuara”.