TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përshëndetur miratimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare nga Kuvendi i Malit të  Zi. Ai e quan këtë vendim si një provë e kontributit të shqiptarëve si një faktor paqeje, stabiliteti dhe kohezioni në rajon

"Ligji i sapomiratuar u garanton njësive administrative  ku shqiptarët përbëjnë 5 përqind të popullsisë të drejtën  e përdorimit të flamurit kombëtar me rastin e festës kombëtare. Përdorimi i simboleve kombëtare është një e drejtë thelbësore etnike dhe politike në demokracinë liberale.

Me miratimin e këtij ligji, fqinji dhe partneri  ynë, Mali i Zi, shënon një hap domethënës drejt konsolidimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve, përfshirë pakicat etnike, në një shoqëri multietnike. I shpreh falenderimin dhe mirënjohjen time kolegut Brajović dhe deputetëve të Kuvendit që votuan këtë ligji.

Një përgëzim të veçantë meritojnë partitë shqiptare dhe deputetët shqiptarë për përpjekjet e tyre për miratimin e këtij ligji.  Kjo është një provë tjetër e kontributit të shqiptarëve si një faktor paqeje, stabiliteti dhe kohezioni në rajon.”, shkruan në mesazhin e tij përshëndetës Kryetari i Kuvendit, Gramoz  Ruçi.