TIRANE - Bizneset e Shqipërisë dhe të Kosovës pritet të përfitojnë më shumë lehtësi në shkëmbimet tregtare dypalëshe. Në mbledhjen e radhës, dje qeveria miratoi në parim marrëveshjen kuadër për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë. Prej disa kohësh bizneset e të dy vendeve janë përballur me procedura burokratike nga doganat përkatëse, duke shkaktuar fërkime në tregtinë midis dy vendeve.

Vetëm pak ditë më parë rreth 20 ton mish nga Kosova nuk u lejuan të kalojnë kufirin shqiptar në doganën e Morinit në Kukës. Ndërkohë, autoritetet kosovare kanë përdorur një praktikë të re për të bllokuar eksportet shqiptare, duke goditur kryesisht sektorin e materialeve të ndërtimit.

Që nga data 1 gusht automjetet transportuese të mallrave nga Shqipëria duhet të ndryshojnë destinacionin e tyre nga distributorët apo konsumatorët, drejt terminaleve doganore private në qytetet e Ferizajt, Prishtinës dhe Prizrenit. Kjo procedurë e re ka rritur kostot e transportit për firmat shqiptare. Dëmi i shkaktuar vetëm në sektorin e materialeve të ndërtimit përllogaritet të kapë një shifër prej 800 mijë euro në muaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)