TIRANË, 19 Nëntor /ATSH/ - Këshilli i Ministrave vendosi sot për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Sllovake, për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope e prekursorëve të drogës dhe krimeve të tjera.
Më poshtë vendimi i plotë i  Këshillit të Ministrave:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SLLOVAKE, PËR BASHKËPUNIMIN NË LUFTËN KUNDËR TERRORIZMIT, KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIKUT TË PALIGJSHËM TË LËNDËVE NARKOTIKE, SUBSTANCAVE PSIKOTROPE E PREKURSORËVE TË DROGËS DHE KRIMEVE TË TJERA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Sllovake, për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope e prekursorëve të drogës dhe krimeve të tjera, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Vendimi nr.47, datë 19.1.2011, i Këshillit të Ministrave, "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Sllovake, për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikut të paligjshëm si dhe aktiviteteve të tjera ilegale", shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. /gj.m//a.ke/