Rama diskutoi në seancën parlamentare projektbuxhetin duke e cilësuar si një shpresë për të nesërmen. Fillimisht kryeministri u ndal të shifra e këtij buxheti që do të jetë më e madhe se gjithë vitet e mëparshme, duke u shprehur se buxheti i 2015 është ndërtuar për të sjellë rritje ekonomike, por pa zgjedhur masat shtrënguese.
Më tej kryeministri u ndal të disa nga masat konkrete me efekt direkt në ekonominë vendit, që ka të bëje me heqjen ose zerimin e 15 taksave, si për miellin grurin dhe materialet e tjera biologjike. Një aspekt i rëndësishëm i buxhetit është ulja e me 20 % e TVSH për fermerët. Gjithashtu mes taksave që do hiqen është edhe heqja e akcizës për pijet energjike, ku kryeministri Rama tha se me gjithë debatet kjo masë do të miratohet.
Rama foli për atë që qeveria e tij mori nga qeveria paraardhëse duke theksuar se ishte një rrëmujë e madhe. Marrëveshjen me FMN sipas tij tregoi se është një zgjedhje e duhur. Kryeministri Rama tha se në fund të mandatit 4 vjeçar rritja e konomike do të jetë 4%.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë diskutimit për Projektbuxhetin 2015
Taksat që zerohen ose hiqen
1- Sektori i sigurimeve heqim TVSH-në dhe zbatojmë vetëm një taksë prej 3% mbi primin bruto.
2- Ulja e taksës doganore të naftës bruto, ose më saktë zerimi nga 10% në 0% që do të sjellë ulje të kostos së rafinerive.
3- Ulja e rentës për kromin e përpunuar, është masë që do të stimulojë atë për të cilën prej vitesh Shqipëria ka nevojë .
4- Ulje të taksës për gomat e reja që në pamje të parë ngjan si diçka pa fort lidhje, por ka lidhje të shumëfishta duke filluar që nga mbrojtja e mjedisit dhe sigurisë rrugore.
5- Zerim të akcizës mbi bitumin natyral. Shqipëria edhe në këtë pasuri ka mjaft për të mund të marrë shumë më tepër se çka marrë. Përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve me fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit.
6- Kemi rimbursimin e TVSH-së rivlerësim i mëtejshëm duke vendosur riskun si kriter në kontroll dhe duke hequr kontrollin e detyrueshëm.
7- Rrisim rentën minerare për pushtetin vendor, duke hequr kufizimet në ligjin e buxhetit .
8- Heqja e akcizës për pijet energjike.
9- Lehtësimi i agro-përpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizime nga fermerët, nga 6% që ishte më pare.
10- Kemi pranuar një tjetër hap, duke përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, të gjithë sektorin e peshkimit.
11- Ne do të subvencionojmë naftën për fermerët, me kushtin që fermerët apo për të gjithë ata fermerë, që do të jenë pjesë e sistemit, të angazhimeve dhe të detyrimeve karshi buxhetit të shtetit.
12- Po ashtu, për të gjitha lëndët e para, grurin, materialin biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim, ne do t’i heqim tërësisht tarifat doganore.
13- Po ashtu, përjashtimi nga TVSH-ja në import për mjetet dhe makineritë ushqimore, si dhe përjashtimi nga TVSH-ja në import për kafshët e gjalla .
Taksat që shtohet
1- Akciza për cigaret
2- Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin
3- Barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore me tatimin mbi të ardhurat nga paga.
Kreu i ekzekutivit u ndal te rritja ekonomike për vitin që vjen është parashikuar të jetë 4 %, por gjithashtu në terma fiskalë synohet edhe që të ketë reduktim të dukshëm të deficitit, si dhe ulja e borxhit publik. Kryeministri e përfundoi fjalën e tij duke ritheksuar se do të stimulojë prodhimin në vend.
Rama: Rritje ekonomike pa masa shtrënguese
“Buxheti ka të bëjë shifrat por ka të bëjë dhe me njerëzit. Thelbi i tij është më shumë se kaq, është një trysni shpresash për të sotmen dhe për të nesërmen. Për ne është një përgjigje për nevojat, për një funksion afatgjat dhe aspiratat për të ardhmen e tij. Orientimi i vendeve të BE për buxhetet ka qënë për të pasur një zhvillim të integruar dhe harmoni mes sektorëve, në kushtet e sotme kur situata financiare nuk është aspak e lehtë për rritje ekonomike. Ne në këtë buxhet kemi mbeshtetjen e rritjes ekonoike pa masa shtrënguese”, deklaroi Rama.
Rama: Marrëveshja me FMN-në ishte zgjidhja e duhur
Duke folur për marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kryeministri Rama u shpreh se, “hymë në një program me FMN, gjë që koha po e provon që ishte zgjedhja e duhur, por duke u imponuar me argument për një paketë fleksibël rritjeje”. Kjo paketë, tha Rama, “na jep mundësi të orientohemi drejt rezultatesh të mirëpërcaktuara”.
Sipas kreut të qeverisë, “buxheti është një mjet në funksion të njerëzve që duan të punojnë”. “Buxheti është me standarde të mirëpërcaktuara dhe me zgjidhje realiste”, tha Rama duke shtuar se, “Buxheti vjen si rezultat i diskutimeve me FMN e BB”. “Buxheti 2015 është instrument rritjeje, zhvillimi dhe punësimi”, tha Rama dhe “ka si objektiv minimal rritje ekonomike mbi 4% në fund të mandatit”. Kryeministri Rama u shpreh se, “Buxheti 2015, ul ose zeron 15 taksa dhe rrit vetëm tre taksa”.
“Që vitin e shkuar morrëm përsipër përgjegjësinë për të nxjerrë vendin nga një rrëmujë e madhe. U futëm në një program me FMN-në e cila tregoi se është një zgjedhje e duhur. Kjo paketë na jep mundësi të orientohemi drejt rezultateve të mirëpërcakruara. Buxheti do të jetë një instrument për njerëzit që duan të punojnë më shumë. Një aspekt themelor është dhe rritja e besimit në stabilitetin ekonomik të vendit. Kushtet ku ne e kemi gjetur vendin ishin jo të lehta, por ky buxhet është një buxhet me disa strandarte të mirëpërcaktuara për të arritur objektivin tonë me një rritje 4% në fund të vitit të 4 të këtij mandate. Ky dokument është një instrument rritje, punësimi”, deklaroi Rama.
Kryeministri nuk harroi pa përmendur edhe mungesën e opozitës duke thënë se, “mungesa e sotme e opozitës në parlament është e ndjeshme”.
Rama: Rrisim fondet për zhvillimin urban dhe rural, i japim fund lëmoshës për fermerët
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Kryeministri Edi Rama ka folur për fondin e zhvillimin e urban dhe rural, i cili sipas tij do të rritet me reformën administrativo-territoriale.
Më tej ai ka vlerësuar se ulje dhe bërje zero e barrës që ka të bëjë me bujqësinë do t’i japi fund traditës së lëmoshës, që ishte vënë në emër të një barazie, e cila në fakt sipas Ramës nuk prodhon barazi, por vetëm rrit hendekun mes atyre që jetojnë në fshat dhe atyre që jetojnë në qytete.
“Nuk i konsiderojmë njerëzit në fshat, si njerëz që kërkojnë lëmoshë, por duke ju krijuar kushte që të krijohet mirëqenie, jo vetëm për fshatin, por edhe për qytetin. Duke njohur 20% TVSH të zbritshme nga fermerët nga 6 % që ishte, do hapë këtë rrugë.”- tha Rama.
Ai gjithashtu vlerësoj një tjetër hapduke përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karburantit, gjithë sektorin e peshkimit.
Gjithashtu duke iu drejtuar fermerëve bëri të ditur se nuk do të ketë më subvencionim të naftës pa faturë, duke kërkuar prej tyre që të bëhen pjesë e sistemit të kontributeve nëse duan të përfitojnë.
“Historia e subvencionit pa faturë ka mbaruar, naftë për fermerët me kushtin që të gjithë të jenë pjesë e sistemit të kontributit. Kush pretendon të ketë një naftë më të lirë, duhet të bëhet pjesë e sistemit, duhet të formnalizohet.”- tha Rama.
Ndërsa bëri të ditur se brenda pak ditësh do të paraqesin edhe hartën e zhvillimit rajonal të bujqësore, Rama shtoi se për të gjitha lendet e para për fermerët si gruri, kafshët, do u heqim tarifën doganore dhe do të hiqet TVSH-ja pë makineritë.
"Asnjë shtet i madh nuk mbështet përgjumjen. Me këto para që kemi janë shumë pak me nevojat. Mbështetja e një fermeri është mbështetje e një procesi. Sfida jonë nuk është si t’u fshihemi fermerëve, por t’i bëjmë të kuptojnë se paratë janë por duhet të konkurrojnë dhe për të konkurruar duhet të mësojnë. Nuk mund të merrni më naftë pa formalizuar prodhimin, nuk mendoj se quhet e djathtë, por quhet e dobishme. Me këto para do kemi më shumë parazitë apo njerëz të suksesshëm."- tha Rama.
Rama:Rritje taksash, mos na llogarisni akcizën e duhanit, barazojmë tatimin mbi të ardhurat
“Kësaj shumice askush nuk duhet t’i llogarisë si rritje takse, rritjen e akcizës së duhanit. Nuk është shpikje jonë, duhanpirësit duhet ta dinë se rritja e taksës mbi cigaren do vijojë sa të jetë e mundur. Duam t’u vijmë në ndihmë të gjitha familjeve. Jemi armiqësore me dashamirësinë e duhanit. Të bindur se kush e lë duhanin na falënderon.” – tha Rama.
Më pas ai është ndalur për rritjen e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gaz-oil, Rama u shpreh se Kjo nuk është një dëshirë qeverisë për të marrë më tepër nga ata që kanë makina, por është një kontribut i atyre për të pasur një mjedis më të sigurt dhe siguri më të lartë në rrugë.
“Ju kujtohet se kur u rrit 10 lek vitin e kaluar u bë një betejë e madhe, se furrat e bukës do të pushonin së punuari dhe makinat nuk do të dilnin në rrugë. Asgjë nuk ndodhi. Sot kemi një çmim më të ulët.”- tha Rama.
Gjithashtu Rama u ndal edhe te barazimi i të ardhurave personale dytësore me tatimin mbi të ardhurat mbi pagën.
“Kishim një dizbalancim, ku tatonim të ardhurat 15% ndërsa për të ardhurat dytësore duhet të pagunin 10%. Kjo është një masë që na bën të barabartë me të tjerët.”- tha Rama.
Rama: Brenda 2017-s, 4% rritje ekonomike, ulim borxhin
Kryeministri Rama më tej thekson e paketa fiskale flet vetë se nuk ka rritje takskash dhe se buxheti 2015 nuk vjen nga rritjet e taksave, ndërsa shton se i jep ekonomisë mundësinë që të stimulojmë fuqinë punonjëse në vend.
Ai shprehet se janë realizuar të gjitha objektivat e vendosur me FMN duke vendosur një paketë fleksibël dhe duke bërë të gjitha detyrat. Ndërsa vlerëson se brenda vitit 2017 arrihet rritja e ekonomisë me 4 % dhe ulja e borxhit publik.
“Pa llogaritur projektet e mëdha të parashikuara dhe privatizimet strategjike, Jemi në gjendje të themi se objektivi për të arritur 4% rritje ekonomike në vitin 2017 e kemi plotësisht në dorë, por edhe për të ulur borxhin nga 71% në 67.%.”- tha Rama.
Më tej Rama është ndalur te instituti i statistikave duke theksuar se jep sot shifra më realistike, ndryshe nga qeveria e kaluar që e mbante INSTAT të lidhur pas zyrës së kryeministrit.
Rama: 20 Miliardë lekë shkojnë për ndihmën ekonomike
“Njerëzit kanë nevojë të mbështeten para se ne t’u themi se duhet të dalin nga ndihma ekonomike përmes punësimit.” – tha Rama duke theksuar se janë 20 mld lekë që shkojnë për ndihmën ekonomike, por ndryshe nga vitet e kaluara pa borxhe të mbartura.
Por sipas Ramës, pozitive për vitin 2015 është edhe heqja e tavanit për pensionin maksimal, pasi fondi total i pensioneve është po ai, por qytetarët janë në rrugën e përfitimit të pensioneve më të larta. Qytetarët do jenë të vetëdijshëm sesa do të kontribuojnë dhe se sa pension do të marrin.
“Sot 3700 minatorë që marrin 14,500-21,000 lekë në vend të 9000 lekë dhe kanë të garantuar se dalin në pension në moshën 55 vjeçare.”- tha Rama.
Energjia, Rama: Fasha s’ka mbrojtur shtresën në nevojë, s’kanë marrë rimbursim
Fasha 300 kW si fashë mbrojtëse nuk i ka mbrojtur njerëzit në nevojë, pasi paratë që duhet të merrnin nga rimbursimi, nuk i kanë marrë kështu ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Parlament në prezantimin e Buxhetit 2015.
“Ne sot këto buxhet nuk i fusim këto para në skemën e mashtrimit, por i fusim drejtpërdrejtë te ndihma ekomomike. Pra ata do përfitojnë direkt rritje të ndihmës ekonomike.”- tha Rama ndërsa theksoi se Shifrat e OSHEE tregojnë se paguesit më të rregullt të energjisë janë pensionistët dhe Personat me Aftësi të Kufizuar. Kjo sipas tij nuk përbën alibi për të thënë se të tjerët nuk kanë para.
“Në Sektorin e energjisë më në fund kemi marrë një ndihmë nga BB, 20 mld do shkojnë sistemin e energjisë. Njerëzit duhet ta kuptojnë pse ndodh kjo. Mos pagesa e energjisë nuk është justifikim. Duke paguar të gjithë kemi më shumë frymëmarrje për të investuar më tepër.” – tha Rama
Sipas tij, brenda dy viteve do kemi një situatë tjetër, dhe nga një lak në fyt që është sektori energjetik do kthehet në një burim të qëndrueshëm fitimi.
“Opozita thotë kush nuk do të paguajë, le të vijë në protestë. Nëse do paguhej 100% energjia do kishim Shqipëri tjetër. Përplasim kokën për një rrugë më shumë, për një spital më shumë. Po të kishim paguar të gjithë do kishim dyfshin e tatimeve të ardhurave nga kompanitë në këtë vend. Njësoj si të dyfishonim kompanitë në vend.”-tha Rama.
Rama gjithashtu u ndal te investimet në infrastrukturën rrugore duke u shprehur se edhe këtë vit do të kemi një buxhet të konsiderueshëm të rritjes së sigurisë rrugore. Ai bëri të ditur se do të financohet një projekt prej 100 mln dollarësh për transformimin e rrugëve të vendit nga shtigje aksidentesh në rrugë me standarde.
Rama: Synojmë të heqim tekstet nga shkollat, të kalojmë te tabletat
Përsa i përket arsimit e shëndetësisë, Sipas kryeministrit Rama jemi në kushtet kur kemi dy kantieret më të mëdha.
“Shifra rrëqethëse të mësuesve pa profilin dhe arsimin përkatës. Përsa i përket librave 120,000 nxënës do marrin rimbursim, por do të kalojmë te heqja e teksteve duke kaluar te tabletat, e nisim në 60 shkolla. Dua të nënvizojë se kemi transportin falas për 11.000 mësues dhe për 13,,000 nxënës, kjo shkon paralel me projektin për ë shkuarjen e mësuesve në zonat e vështira.” –tha Rama ndërsa shtoi se Një sërë financimesh të cilat do të vihen në lëvizje vitin e ardhshëm në shëndetësi.
Naço: Shlyejmë detyrimet e shpronësimeve të pronarëve
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço në fjalën e tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, theksoi rritjen e dikasterit që ai drejton me 5.4% krahasuar me vitin aktual. Naço u shpreh se një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për dëmshpërblimin e pronarëve në bazë të vendimeve të gjykatave.
Po ashtu Ministri i Drejtësisë tha se një pjesë e mirë e buxhetit do të shkojë edhe për një sërë aspektesh të tjera që do të përmirësohen vitin e ardhshëm në institucionin që ai drejton. Në fund Naço u shpreh se buxheti i vitit 2015, është në shërbim të qytetarëve dhe biznesit shqiptar, si dhe ndihmon në rritjen e mëtejshme të ekonomisë.
“Prej kohësh po përdoret kjo foltore për të përcjellë realizimet e kësaj qeverie. Por lajmi më i mirë është se buxheti i vitit 2015 ka pësuar një rritje eksponenciale. Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë me vlerë rreth 47 milionë euro, ka një rritje me 5.4% krahasuar për vitin 2014. Një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve për vendimet e gjykatave për shpronësimet e pronarëve. Pas rikonstruksionit të arviës ligjore në Lundër, do të nisë hapi tjetër për dixhitalizimin e kësaj arkive, ccka do tu lehtësojë punën gjykatave. Me këtë buxhet do të arrihet dixhitalizimi i seancave gjyqësore. Buxheti i vitit 2015 është një lajm i mirë për të gjithë, për ekonominë shqiptare, për qytetarët dhe për biznesin. Qeveria shqiptare vjen me një buxhet të rritur dhe me angazhimin tonë për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit.” tha Naço
Harito: Rritja ekonomike përmes përdorimit të teknologjive të reja inovatore
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, gjatë diskutimeve në Kuvend lidhur me buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, theksoi në fjalën e saj, se rritja e ekonomisë do të mund të sigurohet përmes futjes së teknologjive në shërbimet që ofrohen.
Harito nënvizoi mbështetjen e qeverisë për futjen e programeve inovatore në shërbim të qytetarëve, çka sipas saj do të shmangin radhët e gjata dhe fenomenin e korrupsionit.
“Si mundësohet rritje e produktivitetit të ekonomisë. Kudo, produktiviteti rritet përmes përdorimit të teknologjive të reja inovatore. Kështu ndodhi edhe me valën masive të inovacionit të botë, me futjen e proceseve të dixhitalizuara në 30 vitet e fundit. Kjo mazhorancë ka marrë nisma konkrete për modernizimin e administratës. për herë të parë u mundësua dorëshkrimi elektronik për biznesin. Ky do të evitojë tufën e letrave të përdorura deri më tani. Ky shërbim ofrohet falas. Buxheti i vitit 2015 mundëson 5-fishimin e shërbimeve online, duke shmangur radhët e gjata dhe duke luftuar korrupsionin.” tha Harito
Tahiri: Trashëguam nivel të lartë borxhesh, do t’i shlyejmë në 2015
Ministria e Punëve të Brendshme parashikon për 2015 një buxhet 14.7 % më të lartë krahasuar me një vit më parë. Duke prezantuar projekt-buxhetin për institucionin që ai drejton, ministrin Saimir Tahiri tha se do të ishte me interes pjesëmarrja e opozitës në Kuvend për të interesuar këtë çështje në interes të qytetarëve shqiptarë, si dhe për të dhënë sugjerime. Por sipas ministrit Tahiri, qeveria e kaluar e la Ministrinë e Punëve të Brendshme me një nivel të lartë borxhesh, të cilat ky institucion do t’i shlyejë, duke i parashikuar kështu si zëra në buxhetin e 2015.
Fjala e ministrit Saimir Tahiri ne projektbuxhetin per vitin 2015
“Sa herë është diskutuar buxheti në këtë parlament jo pak folklorizma janë dëgjuar, që shumë pak kishin lidhje me jetën e qytetarëve dhe zgjidhjen e tyre. Ndërsa sot duhej një opozitë e mirë për të dhënë sugjerime në interes të qytetarëve. Në sallën e parlamentit do të doja të diskutoja buxhetin e ministrisë së Brendshme së bashku me opozitën. Do prisja sugjerimet e tyre, për të bërë më të fortë mundësinë tonë për të luftuar krimin e organizuar. Por opozita mungon. Dhe nuk e di sesi kur në seancën kur diskutohet buxheti, dhe është interesi më i lartë i qytetarëve, opozita mungon.
Në Ministrinë e Brendshme, kemi trashëguar borxhe pafund, që janë një bazë e rëndë për të orientuar mundësitë për të dalë nga gropa ku e lanë të zhytur qeverisjen ata që ikën. Sot shqetësohen për depolitizimin e administratës, apo i dëgjon të flasin për sistemin gjyqësor, këta që janë mijëra vendime gjyqësore të pashlyera. Lanë 4.7 mld lekë borxhe. Sot i dëgjon të merakosen për ekonominë, borxhin, kur vetëm në MPB trashëguam borxhe për shpenzime dhe mallra të pashlyera dhe 1.1 mld lekë investime të përfunduara, por të pashlyera.
Në MPB kanë lënë borxh për shpërblimin e lindjes së fëmijëve, pasi qeveria që ishte nuk pagoi shpërblimin e lindjes duke shkaktuar 5.6 mld lekë borxh.
Janë 14 mld lekë borxh të trashëguara për emergjencat civile. U bënë premtime se do shlyheshin familjet për përmbytjet, por kjo nuk u bë.
Të gjitha këto i kemi kaluar pranë ministrisë së Financave si borxh, dhe të denja për t’u paguar. Kjo ishte situata që gjetëm në MPB.
Buxheti për 2015 për MPB është 14.7 % më shumë se buxheti i 2014.
Vendosëm rritjen e numrit të punonjësve të policisë së Shtetit të cilët do të arsimohen në shkollën për policisë. Sot lufta kundër kriminalitetit më shumë sesa forcë është dije dhe informacion.
Buxheti i ri hedh hap vendimtar për investimet në infrastrukturë. Do ketë rritje të eksesit të qytetarëve në marrjen e shërbimeve nga Policia e Shtetit.
Bashkimi i regjistrit kombëtar të gjendjes civile dhe regjistrit të banesave do të shuajë mjaft probleme, edhe sa i takon listave të zgjedhësve”, tha ministri Tahiri.
Duke u ndalur tek puna e bërë nga institucioni që ai drejton për vitin 2014, ministri Tahiri tha se me rëndësi është edhe realizimi i paketës ligjore në fushën e sigurisë.
“Të gjithë buxhetin për 2014 e kemi miradministruar. Trashëguam policinë më të varfër në rajon dhe Europë, edhe për nga kapaciteti teknik- infrastrukturor, për nga niveli i arsimimit. Arritëm të mbyllim paketën ligjore më të plotë në fushën e sigurisë.
Ligji themelor është patjetër Ligji për Policinë e Shtetit. Përfunduam fazën e parë të reformës strukturore. Pagat e punonjësve të policisë së shtetit i rritëm më shumë.
Falë angazhimit të policisë u arritën rezultate të cilët janë përshëndetur nga publiku dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Vrasjet janë ulur me 22 %”, tha ministri Tahiri.
Kodheli: Në fokus modernizmi i FA dhe pjesëmarrja në operacionet e NATO-s
Duke prezantuar projekt-buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2015, ministrja Mimi Kodheli u ndal tek zërat kryesore, siç janë modernizimi i mëtejshëm i Forcave të Armatosura, pjesëmarrja në operacionet e NATO-s, përmirësimi i trajtimit dhe strehimit të ushtarakëve, etj. Edhe pse ky është një buxhet jo në përputhje të plotë me nevojat buxhetore të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrja Kodheli theksoi se dot garantohet përmbushja e çdo misioni kushtetues të FA.
“Buxheti i 2014 ishte i limituar, si dhe duhet të përballej me një nivel borxhesh. Procesi i auditimit që pritet të vijojë deri në fund të vitit, ka nxjerrë një sërë shkeljesh. Garantojmë qytetarët se paratë e tyre të derdhura për ushtrinë do të përdoren me efikasitet dhe transparencë deri në qindarkën e fundit. Buxheti për 2014 parashikohet të realizohet në 97%, niveli më i lartë i arritur nga ky institucion. Me rishpërndarjen e fondeve për 3-mujorin e katërt të këtij viti, do të ketë edhe përmirësim të rezultateve.
Në zbatim të masave që mori qeveria për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, nga ministria e Mbrojtjes për këtë vit u shlyen 669 mln lekë detyrime të prapambetura.
Për vitin 2015 buxheti për MB 12.65 mld lekë. Ky buxhet nuk është në përputhje me kërkesat tona buxhetore, por projeksionet buxhetore për 2015 do të garantojnë përmbushjen e çdo misioni kushtetues të FA. Prioritet do të jetë modernizimi i mëtejshëm në FA, kontributi ynë në NATO, përmirësimi i trajtimit dhe strehimit të ushtarakëve, etj.
Shumat e parashikuara për paga dhe sigurime shoqërore do t’i nënshtrohen një studimi të ekspertëve. Synohet rritja e efikasitetit dhe profesionalitetit brenda FA.
Mbi 800 mln lekë do shkojnë në pjesëmarrjen në operacionet e NATO-s.
Përsosja e menaxhimit financiar dhe kontrollit mbetet në fokus të punës sonë. Do të ketë rishikim të njësive shpenzuese, dhe monitorim të punës, por duke lehtësuar kostot administrative”, tha ministrja Kodheli.
Gjermeni: Në fokus planifikimi urban, strehimi, turizmi e legalizimi
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni është ndalur tek zërat kryesore ku fokusohet buxheti 2015 për institucionin që ajo drejton. Planifikimi urban, planifikimi i menaxhim-administrimit për strehimin dhe zhvillim i turizmit, janë disa nga zërat kryesorë buxhetit, si dhe vijimi i procesit të legalizimit falas.
“2.3 mld lekë për buxhetin 2015, për planifikimin urban, dhe strehim planifikim menaxhim-administrim dhe zhvillim i turizmit. Vend të rëndësishme në këtë buxhet zënë investimet publike. Do të lancojmë projekte pilot që kanë impakt në jetën e qytetarëve dhe synojnë zhvillimin e qyteteve. Do të hartohen plane të detajuara model për zona me përparësi zhvillimin e turizmit. Do të zhvillojmë konkurse për projektimin urban, për rivierën shqiptare, dhe për rehabilitimin e hapësirës urbane Tiranë-Durrës. Këto projekte synojnë rimëkëmbjen e hapësirave publike.
Në fushën e legalizimeve do të vijojmë projektin e legalizimeve falas. Do të përfundojmë informacionin tekniko-ligjor, dhe përcaktimin e kufirit për 70 zona informale ekzistuese. 469 mln lekë janë parashikuar për ALIUZNI-n. Synojmë krijimin e një sistemi dixhital të dhënash elektronike. Ky sistem do të shërbejë për krijimin e dosjeve për zonat informale”, tha ministrja Gjermeni.
Nikolla: Do ketë matje reale për nivelin e mësuesve
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është ndalur tek reforma në arsim dhe tek nisma “Mësues për Shqipërinë”. Duke u shprehur se buxheti 2015 do të përdoret për arritjen e një arsimi cilësor, ministrja Nikolla tha se theksi do të vihet tek mësuesi, duke mos lejuar më të japin mësim mësues pa arsimin përkatës apo jashtë profili.
“Reformat në arsim synojnë një vizion të ri. Do të vijojmë punën për trajnimin e mësuesve. Kryefjala e cilësisë është mësuesi. 1.1 mld lekë investime për shkollën dixhitale. Qasja jonë në adresimin e çdo ndërhyrje nga ndryshuar nga e kaluara. Buxheti 2015 është sfidë për arritjen e një arsimi cilësor. Synojmë të luftohet korrupsioni në sistemin arsimor, dhe emërimi i mësuesve të bëhet sipas aftësive të tyre profesionale. Do ketë matje reale për aftësimin profesional të gjithë mësuesve”, tha ministrja Nikolla.
Gjiknuri: Kush nuk paguan energjinë do të penalizohet
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri është ndalur tek aksioni i OSHEE dhe Policisë së Shtetit kundër vjedhjeve të energjisë elektrike, ndërsa është shprehur se ky aksion do të vazhdojë. Ndërkaq, ministri Gjiknuri është ndalur edhe tek sektori minerar.
“Kush nuk paguan do të penalizohet. Në 3 javë mbi 500 procedime. Ky aksion nuk do të ndalet. Për shkelësit do të ketë ndëshkim sipas ligjit. Fasha 300 KWH është dritare për abuzim, heqja e saj synon të ndihmojë konsumatorët familjarë. Po punojmë me strategjinë për diversifikimin e buxhetit.
Edhe në sektorin minerar ka shumë zhvillime. Edhe sektori i naftës ka nevojë për mbështetje më të madhe nga ana e shtetit, dhe ne po punojmë për gjetjen e mundësive të reja. Por në çdo drejtim duhet të vendoset theksi tek shlyerja e detyrimeve financiare”, tha ministri Gjiknuri.
Haxhinasto: Rritje buxhetit të transportit me 2.76%, përmirësojmë infrastrukturën
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë diskutimit lidhur me buxhetin e vitit 2015, theksoi se ky projekt-buxhet, synon të mbështesë më tej sektorin e infrastrukturës, siç tha ai për një shërbim më të sigurtë dhe më cilësor. Në këtë kuadër, Haxhinasto nënvizoi se krahasuar me këtë vit ka një rritje prej rreth 2.76% të buxhetit të vitit të ardhshëm për Ministrinë e Transportit.
Ministri Haxhinasto, krahas përmirësimit të sektorit të infrastrukturës, u shpreh se rëndësi do t’i jepet përmirësimit të kanalizimeve dhe furnizmit me ujë të pijshëm, çka do të sjellë rritje të prurjeve aktuale që është 16 orë ujë në ditë në rang vendi. Po ashtu rëndësi do t’i kushtohet edhe sektorit të hekurudhës, ku nënvizoi se ky është një nga sektorët me potenciale të mëdha.
“Buxheti i ri do të mbështesë filozofinë tonë për më shumë siguri dhe cilësi. Buxheti do të mbështesë sektorin e transportit për një shërbim më të mirë. Peshën më të madhe të investimeve e zë Ministria e Transportit. Krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014 kemi një rritje prej 2.76% më shumë. Së pari kjo do të na ndihmojë për afrimin e legjislacionit të transportit me atë të BE-së. Sa i përket mirëmbajtjes së rrugës, do të realizojmë një projekt shumë të rëndësishëm që shkon në 17 miliardë dollarë. Objektivat janë ambicioze. Do të realizojmë zgjerim dhe përmirësim me ujë të pijshëm, duke rritur mesataren aktuale që është 16 orë ujë në ditë. Mbështetja buxhetore për ujësjellës kanalizime është rritur me 15% për vitin e ardhshëm, dhe do të realizojë mbylljen e të gjithë projekteve të nisura në vitet 2012 dhe 2013. Zë i rëndësishëm është transporti hekurudhor, që është sektori i harruar por zhvillimet e vitit 2014 kanë treguar se është sektor me potencial të madh dhe ka treguar se mund të shërbejë sa më mirë ekonomisë dhe për këtë duhet t’i hapim rrugë investimeve reale. Do të realizojmë studime për rikonstruksionin e linjës Tiranë-Durrës. Pra mund të them se si nga përzgjedhja e prioriteteve, politikat e iniciuara nga kjo qeveri, do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, me qëllim që të afrohemi sa më pranë standarteve të BE-së dhe t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve shqiptarë.” tha Haxhinasto
Panariti: Mbështetja e bujqësisë, rritur me 26%
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, duke folur në seancën plenare rreth buxhetit për vitin 2015, vlerësoi mbështetjen në rritje në masën 26% krahasuar me vitin aktual, për dikasterin që ai drejton. Panariti theksoi se bujqësia si këtë vit ashtu edhe në vitin e ardhshëm do të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete.
Në këtë drejtim, Ministri Panariti, nënvizoi se deri më tani Shqipëria eksporton drejt 20 vendeve por që pritet të ketë një trend rritës të këtij fenomeni. Po ashtu Panariti u shpreh se tashmë falë nismave të ndërmarra nga ana e qeverisë, fermerëve nuk iu intereson të jenë informalë por të përfitojnë nga subvencionet e qeverisë, si dhe fondet e BE-së.
“Pavarësisht se në një vit të vështirë bujqësia tregoi rritje. Politika jonë është mbështetëse sa i përket prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Ne nuk mund të mbështesim skema që gjelbërojnë dhe nuk prodhojmë. Prandaj jemi të orientuar drejt rezultatit. Duke stimuluar rezultatin inkurajojmë edhe zgjerimin e sipërfaqes, pra jemi më të efektshëm. Nga ana tjetër nuk do të ndalemi në implementimin e teknologjive të reja. Shqipëria eksporton në 20 vende, por ne po kërkojmë edhe tregje dhe porositës të ri. Paketa e bujqësisë është një arritje e madhe. Nuk ka njohur bujqësia një përkrahje dhe stimulim kaq të madh. Një fermer që identifikohet dhe regjistrohet, krahas subvencioneve, do të marrë fonde edhe të BE-së. Prandaj nuk ja vlen të jesh informal. Shqipëria do të ketë shumë shpejt hartën e prodhimeve bujqësore, që do të prezantohet të premten. Nga ana tjetër ne do të bëjmë edhe hartën e specializimeve të prodhimeve bujqësore. Pra harta e realizimt të prodhimeve do të jetë edhe harta e shërbimeve. Një rritje prej 26% për buxhetin e vitit 2015. Shumë evidente janë mbështetja që i jepet vaditjes, që është 83% më shumë.” tha ministri Edmond Panariti
Dokle: Vlerësime për reformën territoriale, të pensioneve dhe aksionin e energjisë
Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle, duke volur për buxhetin e vitit të ardhshëm, vlerësoi reformën territoriale, e cila sipas tij, përmes decentralizimit të pushtetit vendor, do të bëjë të mundur të kursehen 6 miliardë lekë.
Megjithatë sipas Dokles ekziston ende një problem që nuk është zgjidhur deri më tani nga qeverisja e majtë, dhe që pritet të zgjidhet nga reforma territoriale, që është ajo e pagesave të borxhit të vendorëve që ekziston që para vitit 2011.
“Opozita ka humbur shansin për tu bërë pjesë e kësaj reforme, që është shumë e rëndësishme dhe i afrohet modeleve evropiane, dhe do të ketë një ndikim në decentralizim të vendit, dhe një kursim deri në 6 miliardë lekë, që i rikthehen shqërisë shqiptare. Natyrisht këtu doja të shtroja një gjë, që e kam biseduar edhe me ministrin Cani, sa i përket borxheve të vendorëve. Nuk është marrë asnjë veprim sa i përket borxheve para vitit 2011 të pushtetit vendor. Këtu ështënjë rreth vicioz që e pengon pushtetin vendor. Përmbarimi i merr grantin pushtetit vendor. Unë mendoj se me reformën territoriale do të gjenden mekanizmat për të zgjidhur këtë problem.” tha Dokle
Deputeti socialist vlerësoi edhe reformën e pensioneve, si një nga më të rëndësishmet të miratuara nga kjo qeveri. Dokle tha se reforma e pensioneve i jep zgjidhje edhe çështjes së pensionit të minatorëve.
“Reforma e pensioneve është një nder për ccdo qeveri të majtë. Nëse territorialja ishte në nder të majtës dhe të djathtës, skema e pensioneve është e qeverisë së majtë. Pensioni social është një nga elementët pozitivë që ndërmerr ky buxhet. Së treti është pensioni i minatorëve. Ky është një nga ligjet më të rëndësishme që me buxhetin që do të miratojmë do t’i jepet zgjidhje këtij problemi.” tha ai
Më tej Dokle vlerësoi edhe aksionin e energjisë kundër abuzuesve, si dhe nismën e qeverisë, parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, që ka të bëjë me rivitalizimin e bujqësisë.
“Sa i përket gangrenës së energjisë, fakti që qeveria ndërmerr një reformë të tillë do të thotë se ka vullnet për ta zgjidhur këtë ccështje. Dhe nëse e arrijmë këtë do t’i bëjmë një nder vendit sepse pa energji nuk ka zhvillim. Një reformë tjetër është edhe rivitalizimi i bujqësisë, një nismë edhe e Bashkimit Evropian. ka investime të mëdha që do t’i shërbjenë ekonomisë dhe nevojave që ka sot fshati.” u shpreh deputeti i PS
Dokle: Heqja e akcizës së "energjikëve", praktikë lobiste që dëmton imazhin e qeverisë