Miratohet statusi i naftëtarit, ja
përfitimet për 5 mijë persona

Miratohet statusi i naftëtarit, ja<br />përfitimet për 5 mijë persona
Parlamenti ka miratuar me 75 vota ligjin “Për statusin e naftëtarit”, i cili u jep lehtësira rreth 5000 personave të angazhuar në këtë sektor. Ky ligj u propozua fillimisht nga deputeti i PDIU-së, Omer Mamo, një ish-naftëtar dhe më pas u shoqërua nga një draft thuajse i njëjtë nga qeveria. Me një konsensus brenda mazhorancës, Mamo u tërhoq nga nisma pasi ajo nuk ndryshonte nga nisma e Këshillit të Ministrave dhe kërkoi që të hapej rruga e miratimit sa më shpejt e variantit të qeverisë.

Vetë Mamo përshëndeti këtë miratim të Kuvendit, si një detyrim ndër vite që qeveria ju ka këtyre banorëve. “Sot u rikthye dinjiteti i naftëtarëve! Pas 26 vitesh, Kuvendi i Shqipërisë miraton statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit. Sot për mua si deputet i PDIU-së për qarkun e Fierit është një ditë e shënuar.

Një ditë e rëndësishme që nuk do ta harrojë kurrë. Të nderuar koleg, unë jam deputet i PDIU-së, por siç e thash në fillim, jam një ish-naftëtar dhe përfaqësues i zërit të naftëtarëve. Që ditën e parë si deputet i vura qëllim vetes se do të mbaja premtimin që i kisha dhënë shokëve të mijë të punës, në puset e naftës, premtimin që i kisha dhënë vëllezërve dhe bashkëvuajtësve të mijë naftëtar.

Sot jam shumë i lumtur që pas një pune të gjatë, dhe me mbështetjen e të gjithë kolegëve, arritëm që të sjellim në këtë Kuvend, projektligjin për statusin e naftëtarëve”,-tha Mamo. Ai shtoi se këtë status nuk e bërë as për përfitime personale dhe as për kredo politike. “E ndërmora këtë rrugë me shumë besim dhe vullnet me qëllimin për të vendosur në vend dinjitetin tim dhe dinjitetin e naftëtarëve. Them dinjitetin tim sepse unë jam një ish-naftëtar dhe për mua do të ishte një njollë turpi nëse katër vitet e mandatit tim si deputet nuk do të punoja me mish e shpirt për këtë ditë.

Qëllimi im ishte miratimi i statusit të naftëtarëve dhe jo kredoja ime politike. Për këtë arsye deklarova dorëheqjen e draftit të përgatitur prej meje sepse drafti që u ripunua nga qeveria ishte pothuajse i njëjti, por edhe në faturë financiare përkatëse”,-tha Mamo duke ju përgjigjur kështu dhe deklaratave të Albana Vokshit se qeveria kishte vjedhur për qëllime elektorale nismën e PDIU-së. “Bashkëqytetarët e mijë të Patosit, Ballshit, Fierit, e gjithë zonave naftëmbajtëse, ata që kanë punuar në puse dhe në industrinë e përpunimit të naftës janë ndoshta pjesa më e vuajtur e shoqërisë.

E ndërsa nga nëntoka shqiptare fitohen mbi 300 milion dollarë në vit, fatura financiare për të paguar shërbimin shëndetësor për naftëtarët dhe familjarët e tyre, pensionet dhe përfitimet e tjera nga statusi janë pothuajse të papërfillshme”,-tha Mamo. Ai falënderoi për mbështetjen Ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri, Ministrin e Punës, Blendi Klosi, Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ministrin e Financave Arben Ahmetaj, Ministren Felaj dhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar që punuan dhe miratuan këtë projekt. “Një falënderim të veçantë kam për Kryeministrin, z. Rama, që në fillim pa dyshimin më të vogël i tha “po” nismës tonë dhe me ndihëm e tij mundëm t’i japim jetë”,-përfundoi Mamo.
 
Çfarë përfitojnë naftëtarët nga statusi
-garantimi i rritjes të të ardhurave, e cila do të përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, që nuk do të mund të jetë më e ulët se 150 % të pagës minimale në shkallë vendi;

 - reflektimin në këtë kontratë kolektive të punës të detyrimeve që rrjedhin nga Kodi i Punës dhe specifikave të ndikimit të kësaj industrie në shëndetin e punonjësve të naftës e gazit;

-ulja e ndjeshme e moshës për të dalë në pension, 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë, nga pesë vjet për secilën gjini, duke u mjaftuar me detyrimin për punë konkrete në këtë sektor 20 vjet për burrat dhe 15 vjet për gratë, nga respektivisht 30 vite punë gjithsej për burrat dhe 20 vjet për gratë;

- statusi u jep naftëtarëve shtesë pensioni 1 % për çdo vit punë deri në masën 40 %, sipas viteve të punës të secilit;

 - nga ky status përfitojnë edhe ata që nuk janë aktualisht në punë, por e kanë vjetërsinë e punës
që kërkon ky ligj, dhe përfitimi nuk është për të mos u marrë në konsideratë, jo më pak se 80 % të pagës minimale në shkallë vendi;

- në rastet e riorganizimit, ristrukturimit apo ndryshimeve të tjera të kompanive që operojnë në sektorin e naftës, që sjellin për pasojë shkurtime të fuqisë punëtore dhe, si rrjedhojë, humbjen e vendit të punës punonjësit e sektorit të naftës dhe të gazit do të kenë përparësi në punësim ose shpërblim në masën 80 % të pagës minimale në shkallë vendi dhe në kohë jo më pak se tre vjet;

- pushimi vjetor shtesë i paguar, 25 % të ditëve të punës për të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune brenda sektorit, kontrollet mjekësore falas pa pagesë në spitalet shtetërore apo ato private të vendit, e të tjera masa lehtësuese për punën dhe jetën e punonjësve të naftës e gazit e bëjnë statusin e naftëtarit një akt themeltar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së tyre, rikthim të dinjitetit të emrit të nderuar “Naftëtar” prej disa dekadash, por edhe një nxitje e siguri për zhvillimin e mbarëvajtjen e sektorit të vështirë të naftës e gazit me fuqi punëtore të kualifikuar e me dije bashkëkohore.
 
Toçi: U japim fund pushimeve abuzive nga puna për naftëtarët
Deputeti i Vlorës, Fatmir Toçi solli në vëmendje disa raste në këtë qark të abuzimeve të mëparshme mbi punonjësit e naftës. Ai tha se ky status i mbron punonjësit nga shkarkimet e paligjshme nga puna. “Me dhjetëra e qindra procese gjyqësore për pushime të paligjshme nga puna, mosdhënie të pagave e sigurimeve janë akoma të hapura. Vetëm në rrethin e Vlorës, për shembull, që nga koha e fillimit të procesit të privatizimit dhe të dhënies së sektorit të naftës me koncesion, janë pushuar nga puna mbi 600 punonjës të ish komunës së Vllahinës, në sektorët naftëmbajtës Kocul–Gorisht, Amonicë dhe Peshkëpi-Drashovicë.

Është e njohur protesta dhe greva e urisë e naftëtarëve të Gorishtit, të cilët, një vit nga privatizimi i një pjese të Albpetrolit u shkurtuan 110 vetë nga puna, duke  mos u paguar as të drejtat financiare sipas Kodit të Punës. Miratimi sot i Statusit të Naftëtarit është një premtim i mbajtur nga ana jonë edhe pse efekti-financiar i tij llogaritet afërsisht në 4 milionë dollarë në vit, ashtu siç ka ndodhur edhe me segmente të tjera të shoqërisë shqiptare që sot kanë përfituar statusin e tyre, siç janë minatorët, ushtarakët etj”,-tha Toçi.
 
Bejko: Qeveria “Rama 2” do të bëjë akoma më shumë për qytetarët
Edhe qarku i Beratit regjistron një numër të lartë punonjësish të industrisë së gazit dhe naftës. Në këtë kontekst, deputeti socialist i Beratit, Eduard Bejko përshëndeti këtë ligj të miratuar si një frymëmarrje për këtë kategori. “Do të vlerësohen direkt ata persona që kanë punuar në frontin e pusit. Përgjegjësit e kyçit, operatorë të ndryshëm, traktoristët, e gjithë të tjerët që do dalin akoma më shpejt në pension.

Kemi parë rëndom që në proceset e privatizimeve dhe koncesioneve të kemi dhe largime nga puna. Qeveria “Rama” përmes këtij statusi i garanton ata se në rast pushimi nga puna do të marrin ndihmë ekonomike sa 80 % e pagës dhe nuk do të denigrohen. Do të kenë mirëqenie minimale, por gjithsesi rrogë të përshtatshme. Ne flasim me argumente, shifra konkrete, premtime që i kemi mbajtur, dhe kjo është motoja jonë. Të ecim drejt, dhe të jemi pranë qytetarëve tanë. Pas 18 qershorit, qeverisja “Rama 2” do të bëjë të mundur akoma më shumë reforma dhe përmirësime jo vetëm për këtë sektor”,-tha Bejko.  
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS