TIRANE- Do të fillojë shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit publik të energjisë elektrike. Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme  strategjinë për shlyerjen e detyrimeve të përzgjedhura të disa institucioneve publike në sektorin e energjisë elektrike. Ky vendim përfshin dhe projektmarrëveshjen e mirëkuptimit, e cila parashikon shlyerjen me kompensim të detyrimeve të prapambetura të disa institucioneve publike në sektorin e energjisë elektrike. Fondet në dispozicion për këtë projektmarrëveshje, janë parashikuar të shkojnë deri në 10 miliardë lekë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) ka bërë një përmbledhje të piketave kryesore dhe objektivat e kësaj strategjie
 
Strategjia
Në thelb, me këtë strategji synohet të shlyhen detyrimet e prapambetura, përsa i përket shërbimit të energjisë elektrike të institucioneve buxhetore dhe atyre jo buxhetore. “Kjo strategji përcakton rrugën që do të ndiqet nga Qeveria Shqiptare për të shlyer detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore të faturave ndaj kompanive të sektorit publik të energjisë, duke përfshirë një mekanizëm të shlyerjes me kompensim të detyrimeve te prapambetura të sektorit publik deri në 10 miliardë lekë ndaj pjesëmarrëseve të sektorit  publik të energjisë, që kanë detyrime të prapambetura dhe masat që do të kërkohen për të parandaluar krijimin e detyrimeve të mëtejshme financiare”, - bën të ditur në njoftimin e saj zyrtar MEI.
 
Afati kohor
Deri në fund të muajit mars, sipas kësaj strategjie, pritet të konfirmohen faturat e energjisë elektrike të institucioneve buxhetore. Ndërkaq, shuarja e detyrimeve të energjisë elektrike me kompensim,për palët e interesuara, të parashikuara në projektmarrëveshjen e mirëkuptimit, pritet të kryhet në muajin prill.

Objektivi
Më konkretisht, kjo strategji ka për objektiv kryesor shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, CEZ Shpërndarje sh.a., dhe KESH sh.a.
 
Masat
Për të zgjidhur problemin e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike të institucioneve, në këtë strategji propozohen disa masa. Ato janë si më poshtë: 1. Ndërprerja e alokimeve buxhetore; 2. Shlyerje të detyrimeve të energjisë para regjistrimit të mjeteve të motorizuara, transferimit të pasurisë së paluajtshme dhe të ripërtëritjes vjetore të licensave të automjeteve; si dhe 3. Ndërprerje të energjisë për institucionet publike, përjashtuar disa shërbime jetike që kryhen nga këto institucione (si psh spitalet, konviktet, burgjet etj,). Për të siguruar zbatimin e këtyre masave ngarkohet Task Forca për sektorin energjetik, të kryesuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi.

Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)