Miratohet strategjia e strehimit
social 2016 -2015 

Me propozim të Ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave miratoi dje “Strategjinë e Strehimit Social 2016-2025’’, një dokument i rëndësishëm politik i cili ka munguar në tërë këto vite.
 
Nëpërmjet Strategjisë synohet zhvillimi i kapaciteteve të 61 njësive vendore për sigurimin e njohurive rreth kërkesës dhe ofertës për strehim social në mënyrë periodike;  përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional për rritjen e qasjes në strehim të 50% të familjeve në pozita të pafavorizuara; bashkërendimi i përpjekjeve midis institucioneve në nivel qendror dhe vendor, për përmirësimin e procesit të shpërndarjes së strehimit në 61 njësitë vendore; sigurimi i marrëveshjeve të Partneritetit Publik-Privat (PPP) për përmirësimin e alternativave të strehimit social dhe rritjen e numrit të familjeve përfituese me 20% si dhe zgjerimi i alternativave të strehimit, përmes programeve të orientuara për familjet me të ardhura të ulëta e të mesme dhe kryesisht ato të pafavorizuara me 30%.
 
Vendimi për miratimin e Strategjisë së Strehimit Social 2016-2025 është detyrim i ligjit 9232, datë 13.05.2004 ‘’Për programet sociale të strehimit’’, i ndryshuar, neni 34/1, germa a. Gjithashtu, nisur nga nevoja për të identifikuar dhe vlerësuar situatën aktuale të strehimit në çdo bashki të re të krijuar nga reforma territoriale, si dhe problematikat e shumta të evidentuara, u pa i domosdoshëm hartimi i kësaj strategjie si një dokument i rëndësishëm politik, i cili do të identifikojë nevojat e strehimit në çdo bashki dhe do të synojë për një zgjidhje të arritshme, të përballueshme dhe cilësore, për strehimin social për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që nuk mund të përballojnë një banesë në treg të hapur dhe, në veçanti, për familjet në pozita të pafavorizuara që çojnë në përjashtim nga strehimi.
 
Objektivat  e strategjisë janë kategorizuar sipas katër drejtimeve strategjike, të cilat përfshijnë:
sigurimin e evidencës rreth strehimit social dhe kapaciteteve vendore;
përmirësimin e kuadrit ligjor, institucional dhe rregullator;
fuqizimin e instrumenteve financiare për grupet në pozita të pafavorizuara;
zgjerimin dhe riorientimin e programeve të strehimit social. 
Strategjia për Strehimin Social e Republikës së Shqipërisë është konceptuar në bazë të parimeve orientuese sipas të cilave duhet të ketë një paketë të përgjithshme të strehimit që të jetë e gatshme, e arritshme, e përballueshme financiarisht dhe e përshtatshme. Pikënisja për hartimin e vizionit, qëllimit dhe objektivave të strategjisë është nevoja urgjente që ka vendi për të rishikuar dhe përmirësuar kuadrin ekzistues institucional, ligjor dhe rregullator të sektorit të strehimit. Një shqetësim madhor është ofrimi relativisht i pakët i zgjidhjeve të strehimit, për atë pjesë të popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht një shtëpi në tregun e hapur.
 
Ky shqetësim, merr edhe më shumë rëndësi nëse mbajmë në konsideratë se nga programet e tanishme të strehimit nuk përfitojnë grupet në pozita të pafavorizuara, karakteristikat demografike të të cilave, përbëjnë një pengesë të qartë për përballimin financiar dhe përfitimin nga programet e strehimit.
Qëllimi kryesor i strategjisë është: “Ofrimi i zgjidhjeve të gatshme, të arritshme, të përballueshme dhe cilësore për strehim, për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që nuk mund të përballojnë një shtëpi në treg të hapur dhe, në veçanti, për familjet me tregues të pozitave të pafavorizuara që çojnë në përjashtim nga strehimi.” Objektivat e strategjisë janë kategorizuar sipas katër drejtimeve strategjike, të cilat përfshijnë (1) sigurimin e evidencës rreth strehimit social dhe kapaciteteve vendore; (2) përmirësimin e kuadrit ligjor, institucional dhe rregullator; (3) fuqizimin e instrumenteve financiare për grupet në pozita të pafavorizuara; dhe (4) zgjerimin dhe riorientimin e programeve të strehimit social.
 
Drafti i strategjisë është konsultuar me grupet e interesit, shoqërinë civile, institucionet e ndërthurura dhe donatorët. Në të, janë marrë parasysh dhe janë reflektuar mendimet e institucioneve të linjës, Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat janë angazhuar me çështjet e strehimit social. Disa nga mendimet e Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, lidhen me ndryshime në ligjin ekzistues të strehimit, gjë e cila reflektohet dhe në aktivitetet e përcaktuara në planin e veprimit të kësaj strategjie. 
sociale

Redaksia Online
M.Ç/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025