MIRDITË - Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Spaç, Mirditë, ku shtetasi Frrok Prenga, 51 vjeç, banues në Malaj, ka humbur jetën gjatë punës.
Sipas informacioneve paraprake, Frrok Prenga kishte shkuar bashkë me kushëririn e tij, P. P., për të rregulluar një ekskavator në ofiçinën ku P. P. është përgjegjës. Gjatë procesit të ndërrimit të transmisionit, kriku që mbante të fiksuar pjesën është këputur dhe ka goditur fatalisht 51-vjeçarin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.
'Më datë 10.12.2024, është dërguar në spital, pa shenja jete, shtetasi F. P., 51 vjeç, banues në Malaj, Mirditë.
Nga veprimet e para dyshohet se ky shtetas kishte shkuar në Spaç, bashkë me kushëririn e tij, shtetasin P. P., për të rregulluar një mjet ekskavator në ofiçinën ku shtetasi P.P është përgjegjës.
Gjatë punës, duke ndërruar transmisionin e këtij mjeti, kriku ku mbahej i fiksuar transmisioni është këputur dhe ka goditur shtetasin F. P., i cili për pasojë ka humbur jetën.', njofton policia.