Në vijim të kontrolleve, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në territorin e Bashkisë Mirditë, ndërsa janë vënë në pranga 5 persona si dhe janë proceduar penalisht 5 zyrtar lokal.
Sipas policisë nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike", shtetasit Astrit Lepuri 39 vjeç, banues në Kurbin dhe Elidon Vorfi 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa, në fshatin Xhuxhë, Mirditë.
Gjithashtu për këtë rast janë proceduar penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasi Nikoll Kola, me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi Shkurt Marku, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë shtetasit: Nikolin Krepi 32 vjeç, Arjon Marku, 31 vjeç dhe Gjon Krepi 38 vjeç, banues në Lezhë.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë duke kultivuar fidanë narkotike të mbjellë në kubikë, në fshatin Gziq, Njësia Administrative Orosh, Mirditë.
Njëkohësisht, janë proceduar penalisht për vepren penale "Shpërdorimi i detyrës" shtetasit Pashk Lleshi me detyrë kryetar i fshatit Pshqesh , Gjovalin Laska, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh si dhe
Bardhok Ndreca me detyrë Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", kryer në bashkëpunim, "Armëmbajtja pa leje" dhe "Shpërdorimi i detyrës".