Projekt-buxheti i vitit 2014 i Ministrisë së Kulturës përfaqëson 0,56 për qind të buxhetit të Qeverisë dhe 0,33 për qind të totalit të buxhetit të shtetit. Analizuar sipas programeve buxhetore, Programi i Artit dhe Kulturës përbën 55 për qind të totalit, Programi i Trashëgimisë Kulturore 36 për qind dhe Programi i Planifikim Menaxhimit 9 për qind.
Gjatë prezantimit të buxhetit ministrja e Kulturës ka theksuar se Ministria e Kulturës është duke shlyer borxhet, ku ajo thekson edhe gropën që gjetën në shtator drejtuesit e rinj të Ministrisë së Kulturës. Sipas ministres së Kulturës, 133 076 032 lekë janë borxhet e mbartura qysh nga viti 2008. Ministrja ka deklaruar se “janë shlyer në këta tre muaj borxhet vetëm për kontratat që janë gjetur të rregullta dhe duke u dhënë përparësi shlyerjes së detyrimeve të vendimeve gjyqësore, detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht ndaj programit IPA. Ndërkohë MK ka ekzekutuar 4 vendime gjyqësore për kthime ne punë”.
Por Ministria e Kulturës ka ende borxhe të mbartura nga drejtuesit paraardhës, sepse Kumbaro ka konstatuar një borxh ende të palikuiduar prej 751 732 eurosh. Ka shumë subjekte që pretendojnë borxhet që u ka Ministria për shkak të angazhimeve që kanë marrë ministrat e mëparshëm. Ndërsa borxhi i debitorëve individualë ndaj Ministrisë në këto 8 vitet e fundit është:14 828 627 lekë ose 100 000 euro. Ministrja duke iu referuar edhe raporteve të KLSH-së tha dje se “konstatohet rregullisht shkelje e ligjit për menaxhimin e buxhetit duke angazhuar me kontrata, vendime bordi ose thjesht me pagesa fonde deri 75 për qind më shumë se sa buxheti i parashikuar.
Sipas ministres Kumbaro “Një pjesë e mirë e këtyre detyrimeve vijnë nga viti 2012 ku fondi i parashikuar për 2012-n u shtua me 442 257 000 lekë si pasojë e 23 VKM të marra nga shtatori 2012 deri ne 22.11.2012 për t'u realizuar pa plan, pa parashikime, pa kritere, pa komisione dhe shpesh me kontrata të parregullta në festimet e 100- vjetorit”.
Si do të përballohen shpenzimet për 2014-n
Megjithëse ministria e kulturës në këto tre muaj e ka nisur punën duke shlyer detyrimet e mbartura, “vetëm QKAK mbart 26 milion lekë borxh nga vendimet dhe kontratat e angazhuara në vitin 2013 përtej buxhetit”, sipas ministres Kumbaro. Ndërsa duke iu referuar fondeve për për vitin 2014, ministrja e kulturës tha se: “Ministria Kulturës ka krijuar për herë të parë një skemë të re planifikimi për ndarjen e fondeve”, ku Fondi për Projekt-Propozime 2014, do të jetë në mbështetje të nismave që vijnë nga jashtë Ministrisë së Kulturës.
Subjektet dhe organizatat që punojnë e krijojnë në fushën e artit dhe kulturës do të kenë mundësi të aplikojnë për mbështetje financiare nëpërmjet këtij fondi në dy periudha: në fillim të vitit dhe në mes të vitit’, tha ministrja Kumbaro duke shtuar se “Kjo do t'i japë fund një herë e përgjithmonë praktikës arbitrare dhe klienteliste të trokitjes në derë të ministrit të kulturës për të kërkuar fonde.” Ministrja theksoi se 10 për qind e fondit do të kalojë në Mbështetje të Shkëmbimeve Kulturore Rajonale e Ndërkombëtare.
Politikat e librit, ja pse rrudhen çmimet vjetore
Ministrja e Kulturës iu ka mëshuar dje politikave të librit, shkrimit dhe përkthimit. “Kultura e librit me ndërhyrjet klienteliste e interesat e lidhura me mbijetesën e ngushtë, e provincializoi edhe më shumë dhe e kompleksikoi kulturën e letrave, duke ia hequr mundësinë të jetë bashkëkohore si simotrat e saj ballkanase apo europiane”, tha Kumbaro, duke komentuar se se e gjithë ceremonia e ccmimeve vjetore të letërsisë ka arritur 100 milionë lekë.
Rreth 20 për qind e buxhetit të parashikuar për projektet me miratim në Art, i është akorduar Drejtorisë së Fjalës së shkruar dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës. Ministrja e Kulturës ka përcaktuar një rrudhje fondesh për çmimin letrar vjetor të letërsisë, duke ua kaluar aktiviteteve të tjera si aktivitete dedikuar Jeronim De Radës, ku do të mbulohet botimi i veprës së plotë të autorit, konkurs në rang vendi për esenë më të mirë, festivalin Ndërkombëtar Letrar të Tiranës, si dhe Panaireve të librit.
Trashëgimia kulturore, thembra e Akilit
Trashëgimia kulturore ka qenë thembra e Akilit në Ministrinë e kulturës, si për Politikat institucionale dhe ato buxhetore. Kumbaro tha se Ministria e Kulturës synon vënien nё eficencё tё sistemit tё trashëgimisë kulturore pёr njё menaxhim mё tё mirё tё tij pёrmes njё reforme institucionale, e cila pasqyrohet dhe nё strukturën buxhetore pёr vitin 2014. Nё total buxheti i TK pёr 2014 ёshtё rritur me 8,8 për qind, po pёr shkak tё ristrukturimit tё pёrgjithshёm tё sistemit tё Trashëgimisë, ku përfshihen edhe riorganizimet e drejtorive.
Sipas ministres Kumbaro, buxheti i 2014-ës do t’i mundёsojё IMK t’i rikthehet kompetencave tё tij shkencore dhe si garantues i standardit nё fushёn e trashёgimisё me organizimin e projekteve tё rёndёsishme, konferenca e botime. Ministrja premtoi se IMK do të rimarrë në vitin 2014 edhe botimin e revistës skencore "Monumenti" të ndërprerë prej kaq vitesh.
“Nё 2014 kemi njё rritje prej 161 për qind tё fondit të projekteve në fushën e trashëgimisë. Nga 11,504,000 nё 2013, nё 2014 shkon nё 30,000,000 Lekë”, tha Kumbaro, duke theksuar se gjatё 2014-s do tё fillojё puna pёr: (a) muzealizimin e Muzeut Arkeologjik tё Durrёsit, ku sipas ministres “rikonstruksioni i tё cilit duhej tё ishte mbyllur qё nё fund tё vitit 2012, por do të mbyllet këtë vit me këstin e fundit të investimit prej 10 milion lekësh”. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro premtoi edhe restaurimin e Manastirit tё Shёn Mёrisё nё Apoloni me një fond investimi të huaj prej 109 milionë lekë që do të ndahet në dy faza.
Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)