Përmendja e emrit të Miroslav Lajçakut në dosjen ‘Epstein’ nuk e kompromenton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas zëdhënëses së BE-së, Anitta Hipper.

Hipper tha se lidhjet e Lajçakut nuk kanë pasur ndikim në dialog. Ajo shtoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është proces i qëndrueshëm që nga viti 2011.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, theksoi Hipper.

Lajçak ka shërbyer si i dërguari i BE për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga viti 2020 deri në 2025.

Ditët e fundit, skandali i “Dosjeve Epstein” ka arritur në Sllovaki, pasi email-et e reja të publikuara të mërkurën zbulojnë lidhje midis autorit të dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein dhe Miroslav Lajçak.

Sipas korrespondencës, Epstein iu referua Lajçak në disa mesazhe, duke e përshkruar atë si një person me “ndikim ndërkombëtar”. 

Në një email të vitit 2019, Epstein e prezantoi atë me një kontakt të paidentifikuar si ministrin aktual të jashtëm sllovak, kryetarin e OSBE-së, ish-presidentin e Kombeve të Bashkuara dhe “më e rëndësishmja, mik”.

Ai gjithashtu iu referua Lajçak me nofkën e njohur sllovake “Miro”, duke sugjeruar njohje personale. Në një shkëmbim tjetër nga viti 2018, i raportuar për herë të parë nga portali sllovak 360-tka.sk, Epstein shkroi se “Miro po vjen në Palm Beach” – një referencë për një nga rezidencat e Epstein në Florida – “për të hartuar strategji”.

Pas publikimit të këtyre emaileve, Lajçak dha dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak, Robert Fico.