Mirush Kabashi: Ja pse në
Shqipëri bashkëjetojnë fetë

Mirush Kabashi: Ja pse në<br />Shqipëri bashkëjetojnë fetë
TIRANE - Menjëherë pas ngjarjeve tragjike të Parisit, aktori i njohur Mirush Kabashi do të shfaq në Gjenevë monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, të cilat do të vijnë si mesazh artistik i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. I pyetur nga “Shqiptarja.com”, aktori i njohur Kabashi, i cili sapo është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” shprehet se shfaqja e monodramës me temë për bashkëjetesën mes besimeve fetare qëlloi rastësisht që të jepet pas ngjarjeve tragjike të Parisit në Gjenevë.

“Por më vjen mirë që kjo shfaqje e mbështetur mbi një vepër që është dramatizuar, e bërë film dhe e luajtur nga mjaft artistë në disa skena botërore, po përkon me mesazhet që duhet të jepen pas ngjarjeve tragjike të Parisit”. Sipas aktorit Kabashi, monodrama e njohur për mesazhet e saj mbi tolerancën dhe bashkëjetesën mes komuniteteve me besime të ndryshme fetare do të shfaqet pas 10 ditësh në Gjenevë. Ai thotë se prezantimi i saj është mundësuar nga bashkësia e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër kohë më parë.

Aktori i mirënjohur ka pranuar ftesën e Komitetit Shqiptar të Gjenevës dhe më 24 janar ai do të ngjis për të 50-n herë në skenën e “Theatre Salle Centrale Madeleine” të Gjenevës një interpretim unikal të novelës së dramatizuar të shkrimtarit dhe filozofit francez me origjinë hebreje, Eric Emmanuel Schmitt.

“Kjo pjesë e përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, dëshmon shpirtin human, duke bërë thirrje për tolerancë e mirëkuptim në mes komuniteteve dhe grupeve fetare”, shprehet Kabashi, duke shtuar se “rastësisht shfaqja qëlloi të jepej në kontekstin aktual të ngjarjeve tragjike të Parisit. Ishte programuar më parë që të jepej për kontekstin e gjithhershëm të bashkëjetesës së komuniteteve fetare dhe besimeve mbi bazën e interesave dhe respektit reciprok.

Premiera e veprës së interpretuar nga Mirush Kabashi është realizuar në nëntor të vitit 2008 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, si një dedikim për skenën e teatrit ku Kabashi punoi për më shumë se 23 vjet. Kabashi, i cili përshtati për teatër novelën e shkruar nga Eric Emmanuel Schmitt, e ka shfaqur ndërkohë më shumë se 30 herë monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, etj.

I pyetur se cili ka qenë motivi që ka dashur të ngjis në skenë problemin e tolerancës fetare, Kabashi shprehet se i ka pëlqyer trajtimi universal i kësaj teme, “ku autori franko-hebre i mëshon mesazhit se Zoti është Një dhe Paqedashës, pavarësisht se me cilën rrobe te feve shfaqet”. “Por në Shqipëri, shprehet më tej Kabashi, ne duhet te jemi krenar për harmoninë që kemi. Në thelb ne nuk kemi pasur probleme mostoleranca, është pak të themi se kemi pasur tolerancë fetare, sepse ne në shekuj si shqiptarë kemi pasur shuam me tepër bashkëjetesë fetare, kemi pasur modelin më të mirë të harmonisë fetare në Europë.

Kabashi e ka shfaqur ehde ne disa vende të Ballkanit  monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Vitin e kaluar në kuadër të Ditëve të Frankofonisë ai ishte i ftuar në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës (Kosovë), ndërsa më parë ishte prezantuar edhe në Ulqin (Mali i Zi) dhe në Toronto (Kanada). Udhëheqës artistik i monodramës “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” është Alfred Bualoti dhe skenograf Hysni Loka, ndërsa teknikë të shfaqjes janë Tristan Sherifi dhe Julian Shyti.
 
Kabashi në skenën e Theatre Salle Centrale Madeleine
Në skenën e Theatre Salle Centrale Madeleine të Gjenevës Mirush Kabashi prezantohet me realizimin e mbi 100 roleve në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi gjatë karrierës së tij 45-vjeçare. Aktori që ka lëvruar me shumë sukses edhe recitimin dhe prezantimet televizive, identifikohet më së shumti me kryerolin e Sokratit në monodramën e përgatitur prej atij vetë “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, pamflet i shkruar nga Kostas Varnalis.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit