Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një aksion kontrolli në tregun e Milotit, ku janë konstatuar shkelje të rënda të kushteve higjeno-sanitare.

Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar sasi mishi dhe produktesh bulmeti, të cilat tregtoheshin në mënyrë të paligjshme, të ekspozuara në mes të baltës dhe pa asnjë standard sigurie ushqimore, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Tregu i Milotit, i cili funksionon kryesisht ditëve të dielë, konsiderohet vend grumbullimi i paligjshëm, pasi nuk plotëson asnjë nga kriteret ligjore dhe higjeno-sanitare të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit bëjnë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë ushqimore dhe paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të ligjit.