DURRËS- Në tregun shqiptar është hedhur mish pule i kontaminuar me salmonelë në një sasi të konsiderueshme nga kompania Dimal, ndërsa konsumatori u njoftua publikisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, 1 javë pasi kishte marrë në dorë analizat me prani salmonele, dhe filetot e rrezikshmë për shëndetin ishin shpërndarë për konsum nëpër markete.  

AKU njoftoi se referoi për hetim në Prokurorinë e Tiranës një kompani, por duke i mbajtur të fshehtë emrin, që importoi nga Brazili mish të kontaminuar me salmonelë, bakter i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve

Report TV mësoi përmes burimeve konfidenciale se kompania që importoi mish pule me salmonelë është ‘AMG Food’, produktet e së cilës në treg gjenden me emrin ‘diMal’.

Martin Jorgaqi, Drejtori i Menaxhimit të Riskut i AKU, tha për Report Tv se sasia totale që mbërriti nga Brazili në Durrës më 11 mars është 7.9 tonë, ndërsa burime bëjnë me dije bëhet fjalë për  18.250 kilogramë fileto pule e ngrirë, pra rreth 18.3 tonë. Nga ana tjetër,  kryetari i urdhrit Veteriner Ervin Resuli, denoncon për 27 tonë. 

Para shifrave zyrtare nga AKU, burime konfidenciale, thanë se pjesa më e madhe e saj, 13.1 tonë fileto pule me salmonelë doli në tregun shqiptar dhe vetëm 5.2 tonë u bllokuan. Edhe këtë të premte, burime nga Aku në Vlorë, thanë se inspektorët dolën në terren në qytetin bregdetar dhe tërhoqën një sasi fileto pule me salmonelë të Dimal që kishte dalë në treg për tu shitur.

Por si u zbulua mishi me salmonelë?

Burime nga AKU thonë se inspektorët bënë një kontroll rutinë në sasinë e filetove të importuara nga Brazili, morën një mostër nga mishi dhe e dërguan për analizë pranë laboratorit të ISUV më 12 mars. Njëkohësisht – burime nga AKU thonë se urdhëruan subjektin AMG që deri në daljen e përgjigjes së analizave, produktin ta mbyllë në dhomat frigoriferike në port dhe të mos e hedh në treg.

Burimet thonë se ISUV nxori përgjigjen pas 9 ditësh pasi i ishte dërguar mostra, më datë 21 mars, por kur AKU shkoi pranë kompanisë të bllokojë mishin në port, rezultoi se pjesa më e madhe ishte hedhur në treg. Nga ky moment, kur kuptoi se shqiptarët do blinin me para një produkt të rrezikshëm, AKU nuk bëri asnjë njoftim për qytetarët që të mos i konsumonin filetot e pulës të DIMAL, dhe as nuk bëri thirrje pranë bizneseve që të kthejnë pas mishin e kontaminuar. 

1 javë pas doli përgjigja se ishin fileto të kontaminuara, AKU njoftoi vetëm se ka referuar në prokurori një subjekt për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë. Burime nga AKU thonë se kompania DIMAL ka falsifikuar faturat tatimore, duke regjistruar të dhëna të pasakta, pasi sasi të tjera importonte nga jashtë e të tjera deklaronte.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë Ekstraktin e biznesit 'diMal'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:04
Skandali i 18.3 tonëve fileto pule me salmonelë, Resuli: Jo neglizhencë, por akt kriminal! Të hetohet nga SPAK

1743178125_64001736414634xz752x440586.jpg

Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka reaguar në lidhje me skandalin e 18.3 tonëve fileto pule me salmonelë nga Brazili që u kap në Portin e Durrësit. Në një reagim në Facebook, ai thotë se nuk bëhet fjalë për një rast neglizhence, por për një akt kriminal që meriton hetim të thelluar nga SPAK.

Resuli akuzon ministrinë se ka tentuar që të fshehë ngjarjen, ndërsa thotë se AKU nuk informoi qytetarët dhe nuk mori asnjë masë të menjëhershme për të ndaluar produktin dhe tërheqjen e tij nga tregu.

Ai shkruan se mishi i pulës i kontaminuar me salmonelë ka hyrë në vend më 11 Mars dhe se AKU-së iu deshën 10 ditë për përgjigjen e analizës, ndërkohë që produkti është shpërndarë, shitur dhe konsumuar nga konsumatorët. Ai thotë se më 21 Mars, janë publikuar përgjigjet e analizës që tregoi se ngarkesat e mishit të pulës ishte të kontaminuara me salmonelë, por AKU nuk mori asnjë masë për të njoftuar qytetarët dhe për ta tërhequr nga tregu.  

“Fshehja e rastit nga Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV lë dyshime të forta se biznesit i është dhënë kohë për të shitur produktin dhe për të helmuar qytetarët me vetëdije të plotë. Ky nuk është më një rast neglizhence, por një veprim kriminal, që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, nga A deri në Zh! Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë qytetarët shqiptarë janë bërë kavie eksperimentale të një sistemi të kalbur që nuk kontrollon as ushqimin që importohet dhe as atë që prodhohet brenda vendit?”, shkruan Resuli.

Reagimi i plotë:

Ministria e Bujqësisë fsheh skandalin!

Mandarina me pesticide, peshku (açuket) me parazitë dhe së fundmi mishi i pulës me Salmonella Typhimurium! Ky është realiteti ku jeta e shqiptarëve vlen më pak se interesat e disa institucioneve të paafta, të kapura dhe që kanë dështuar spektakolarisht në misionin e tyre. Që nga muaji tetor e deri më sot, një seri skandalesh kanë shpërthyer, duke ekspozuar të vërtetën e hidhur: institucionet nuk janë të afta të diagnostikojnë në kohë, nuk marrin masa dhe kur përballen me prova të qarta, i fshehin rastet!

27 ton fileto pule nga Brazili kanë hyrë në Shqipëri më 11.03.2025. AKU ka marrë mostrat në doganë, por për një analizë që duhej të zgjaste maksimumi 72 orë, u deshën 10 ditë. Dhe ndërkohë, produkti u shpërnda në treg, u shit dhe u konsumua nga qytetarët në supermarkete, restorante dhe fast food-e. Laboratori ISUV, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, ka publikuar përgjigjen më 21.03.2025, duke konfirmuar ngarkesë të lartë Salmonella jashtë normave të lejuara. Por AKU nuk mori asnjë masë të menjëhershme për të tërhequr produktin nga tregu, as nuk njoftoi qytetarët. Vetëm pas publikimit të skandalit nga mediat investigative si "Piranja", nisi një farë reagimi, por deri më tani askush nuk ka treguar se cila kompani e ka hedhur në treg këtë mish të kontaminuar!

ISUV është kthyer në një institucion të dështuar, i cili ka humbur çdo lloj efektiviteti për qëllimin që është krijuar. Në vend që të jetë një entitet shkencor referencë për laboratorët shtetërorë dhe privatë, është bërë një strukturë tenderuese, ku kostoja e analizave për kampionet kalon edhe vlerat e sektorit privat! Madje, KLSH ka hapur një hetim për abuzimet e këtij institucioni, që në vend të shërbejë për sigurinë ushqimore të qytetarëve, është shndërruar në një makineri burokratike që vonon rezultatet dhe justifikon paaftësinë e Ministrisë së Bujqësisë.

Nga ana tjetër, AKU ka treguar edhe një herë paaftësinë dhe indiferencën totale. Për 10 ditë, ky institucion lejoi që pulat e infektuara të përfundonin në treg dhe vetëm kur skandali u bë publik, filluan të lëviznin. Në vend që të vepronte me urgjencë, AKU u mjaftua me një njoftim në prokurori, kur ndërkohë Prokuroria duhet të kishte marrë të pandehur drejtorët e AKU dhe ISUV, sepse këtu ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë! Në vend të një institucioni profesional që duhet të mbrojë shëndetin e qytetarëve, AKU është kthyer në një "autoshkollë drejtorësh", ku emërimet bëhen për qoka politike dhe jo për meritokraci. Në vend që të garantojë sigurinë ushqimore, ky institucion është shndërruar në një mekanizëm që shërben vetëm për interesat e ministrit dhe jo për jetën e qytetarëve.

Fshehja e rastit nga Ministria e Bujqësisë, AKU dhe ISUV lë dyshime të forta se biznesit i është dhënë kohë për të shitur produktin dhe për të helmuar qytetarët me vetëdije të plotë. Ky nuk është më një rast neglizhence, por një veprim kriminal, që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, nga A deri në Zh! Sa raste të tjera janë fshehur? Sa herë qytetarët shqiptarë janë bërë kavie eksperimentale të një sistemi të kalbur që nuk kontrollon as ushqimin që importohet dhe as atë që prodhohet brenda vendit?

Ky nuk është vetëm një skandal, është një kërcënim direkt për jetën e qytetarëve dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Ky shtet nuk mund të vazhdojë të heshtë ndërsa populli ushqehet me mish të infektuar, peshk me parazitë dhe fruta-perime të stërmbushura me pesticide! Është koha që drejtësia të veprojë dhe të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për këtë katastrofë! SPAK duhet të nisë hetimet urgjentisht, sepse ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë!