TIRANE- Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore mbërriti sot në Tiranë për të kryer vlerësimin e sektorit financiar.
 
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, me kërkesë të bërë që në shkurt nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, ekspertët do të bëjnë një vlerësim të sektorit financiar.
 
Ekspertët që pritet të qëndrojnë në Tiranë mbi tre javë, pritet të analizojnë stabilitetin e sektorit financiar dhe nevojat e vendit për t’u zhvilluar. Një muaj më parë, misioni i FMN-së erdhi me kërkesë të qeverisë së re. 

Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar është një analizë në thellësi e sektorit financiar të një vendi dhe zbatohet që nga viti 1999 nga vendet anëtare të FMN-së dhe Bankës Botërore. Ky vlerësim ka dy komponentë. I pari, vlerësimin e stabilitetit financiar të sektorit dhe i dyti, vlerësimin e aspekteve të zhvillimit të sektorit financiar. 
  
Kështu, në komponentin e parë FMN sheh shëndetin e bankave dhe sektorëve të tjerë financiarë. Zhvillohen një sërë stres-testesh, renditet cilësia e bankave, sigurimeve dhe supervizionimi i tregut financiar sipas standardeve ndërkombëtare.

(ata/sg/shqiptarja.com)