Ky lajm është bërë i ditur nga disa media ndërkombëtare që i referohen një raporti të Zyrës Kombëtare Studimeve Ekonomike. Një problem shumëvjeçar ka ende pa zgjidhur policia e Nju Jorkut më përfaqësitë diplomatike në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të shumë shteteve nga e gjithë bota.
Duke se diplomatët e këtyre përfaqësive kanë ngatërruar imunitetin diplomatik me imunitetin ndaj çdo shkelje ligjore, duke parkuar makinat ku të duan dhe si të duan. Por ja që imuniteti diplomatik që përfaqësuesit e shteteve gëzojnë nuk përfshin shkeljet flagrante të rregullave të qytetit amerikan, ndaj edhe policia e Nju Jorkut nuk ka falur askënd duke gjobitur të gjithë shkelësit. Por, problemi qëndron tek arkëtimi i këtyre gjobave. Meqenëse makinat janë në pronësi të shteteve përkatëse që kanë përfaqësi pranë selisë së OKB-së në Nju Jork, policia e këtij qyteti vështirësohet në vjeljen e tyre.
Shumica e përfaqësive diplomatike kanë neglizhuar të paguajnë këto. Kështu vit pas viti nga viti 1998 borxhi është rritur duke arritur në vitin 2002 deri në shifrën aspak të vogël të rreth 17 milionë dollarëve. Në këtë periudhë policia e Nju Jorkut ashpërsoi masat duke vendosur që makinave që figuronin që kishin mbi 3 gjoba t’u hiqnin targat, duke i detyruar kështu diplomatët të paguanin gjobat. Gjithsesi janë ende shumë shtete që kanë shuma të mëdha pa paguar. Nga 124 shtete që figurojnë debitore pjesën e luanit të borxhit e kanë 15 prej tyre, ku një ndër to, madje në “vend nderi” figuron edhe Shqipëria.
Sipas raportit të sipërpërmendur Shqipëria renditet e 7-ta nga 146 përfaqësi gjithsej, nga të cilat 124 janë debitore ndaj policisë së Nju Jorkut. Në fakt kjo renditje nuk vjen për totalin e gjobave, por për përqindjen e lartë të gjobave të marra, krahasuar me personelin që ka secila përfaqësi. Kështu Shqipëria me vetëm 3 përfaqësues ka një mesatare për t’u pasur zili me 84.5 gjoba për çdo diplomat, çka është në total 253 gjoba të papaguara. Kjo renditje është në rang global, sepse në atë europian renditemi të dytët, pasi na kalon vetëm Bullgaria me 117.5 gjoba për çdo diplomat. Në vend të parë në rang botëror renditet Kuvajti me 246.2 dhe më pas vjen Egjipti me 139.6 gjoba të papaguara.
Duhet theksuar se ky raport është përpiluar në vitin 2006 me shifrat që i takojnë periudhës 1998-2002, por sipas disa mediave ndërkombëtare që e kanë risjellë në vëmendje këtë raport, problematika mbetet, pasi gjobat e vjetra vazhdojnë të jenë ende të papaguara.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com