Prokuroria: Cigaret kanë 5 muaj në Portin e Durrësit
Por burime të “Shqiptarja.com” pranë prokurorisë japin një version krejt tjetër të ngjarjes nga ajo që paraqet Drejtoria e Doganava në njoftimin e saj zyrtar. Sipas këtyre burimeve konteinerët me cigare janë shkarkuar në portin e Durrësit që prej muajit Korrik 2017. Pas pesë muaj qëndrim në ambientet e portit të Durrësit, drejtoria e Doganave ka njoftuar prokurorinë e rrethit për situatën e cigareve kontrabandë. Shkarkimi i kutive me cigare është kryer pa dokumentacionin përkatës. Pas shkarkimit anija është larguar duke vijuar intenerarin e saj të lundrimit. Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentave, por deri tani pika doganore në portin e Durrësit nuk ka qënë në gjëndje të verë në dispozicion dokumentacionin. Konteinerët me cigare janë hapur pasi u janë nënshtruar fillimisht procedura e skanimit. Burime nga prokuroria thonë se prej 5 muaj qëndrim në port asnjë person i huaj apo shtetas shqiptar nuk është interesuar për këtë mall në portin e Durrësit. E dyshimtë dhe shumë e rrezikshme procedura e shkarkimit të kësaj ngarkese në territorin e portit të Durrësit. Policia, SHISH, doganat dhe shërbimet e ushtrisë asnjë informacion për këtë skandal të kontrabandës së cigareve.
Vlera e kontrabandës
Paketat do kalonin për përdorim ilegal në tregjun vendas dhe më gjerë në atë europian. Sipas drejtorisë së Doganave, vlera e 6,100 kolive, është rreth 610 mijë euro, kurse shuma e detyrimit doganor të llogaritur për këtë sasi cigaresh, është rreth 428 milionë lekë. Shumë kjo e cila do shmangej nëse cigaret do arrinin të hynin në treg kontrabandë.
Njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Doganave
“Bazuar në informacionet e marra nga strukturat inteligjente të partnerëve ndërkombëtarë ka bllokuar mbrëmjen e djeshme, më datë 06.11.2017, pas një procesi të detajuar hetimor të nisur që më 30 tetor 2017, një sasi prej 6,100 koli cigaresh të ardhura në Portin e Durrësit. Drejtoria e Hetimit, Drejtoria e Antikontrabandës dhe Dega e Doganës Durrës, në prani të përfaqësueve ligjorë të shoqërisë së transportit “CMA –CGM”, Durrës, ushtroi kontroll të plotë fizik të mallit të ndodhur tek 5 (pesë) kontenierët e ndaluar, ku sipas informacioneve dhe dokumentacionit paraprak të administruar, rezultonte se kishin të ngarkuar cigare. Pas verifikimit të elementëve të sigurisë së konteinerëve, ku rezultoi se plumbçet e vendosura në kontenierë ishin origjinale dhe të padëmtuara, u bë peshimi dhe skanimi dhe kontenierët u dërguan tek sheshi i trageteve për ushtrimin e kontrollit të plotë fizik të mallit të ndodhur në to.

(Kolitë e cigareve të bllokuara në portin e Durrësit)
Nga kontrolli i plotë fizik rezultoi se:
Në total, tek të pestë kontenierët ndodheshin 6,100 koli. ose 3,050,000 paketa cigare, sasi kjo e njëjtë me ato të pasqyruara tek dokumenti i transportit Bil Of Loading i paraqitur në doganë.
Duke iu referuar dosjes së të dhënave të disponueshme të D.P.Doganave, vlera e 6,100 kolive, është rreth 610 mijë euro, kurse shuma e detyrimit doganor të llogaritur për këtë sasi cigaresh, është rreth 428 milionë lekë. Gjithashtu theksojmë se paketat e cigareve ishin të pa pajisura me pulla fiskale.
Në përfundim të kontrollit të plotë fizik, u morën mostra për çdo lloj pakete, u përpiluan evidencat e kontrollit fizik për çdo kontenier, u bë riplumbosja e kontenierëve të cilët u dërguan përsëri pranë sheshit të kontenierëve mbi bazën e aktit të bllokimit të mbajtur nga strukturate e DOH-së së D.P.Doganave. Strukturat hetimore te DPD-se kane pergatitur materailin perkates referues ne Prokurorine e Durresit dhe kanë marrë te gjitha masat per sekuestrimin dhe konfiskimin e ketij malli te paligjshem i cili mendohej se do te kalonte per perdorim ilegal ne tregjet europiane”.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO









