Vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish- deputet i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, dyshohet se është arrestuar nga policia gjermane në qytezën Hahn të Gjermanisë, në afërsi të Frankfurtit.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë Policisë së Shtetit. Sipas të njëjtave burime, 39 vjeçari, Taulant Alibeaj, është arrestuar me 6 prill nga policia gjermane me akuzën e vjedhjes me armë.
 
Por, në një lidhje me Skype nga Gjermania për Report Tv, Taulant Alibeaj mohoi të jetë arrestuar nga policia gjermane, ndërsa nga ana tjetër konfirmoi se në datat e pretenduara se është arrestuar 6 prill, ka qenë në Gjermani për një vizitë familjare.
 
Ai mohoi gjithashtu të disponojë dokumente të rreme identiteti, siç pretendon Policia shqiptare.
 
Kjo shton edhe më tepër misterin e arrestimit të tij, pasi siç pretendon Policia shqiptare, ai është arrestuar nga policia gjermane gjatë një aksioni në qytezën Hamm në veriperëndim të Gjermanisë.

Gjithsesi burimet nuk dhanë detaje të tjera mbi arrestimin, apo detaje të tjera në lidhje me rastin e tij, por konfirmojnë akuzën e vjedhjes me armë.
 
Sipas Policisë, në momentin e arrestimit Alibeaj, i ka paraqitur autoriteteve gjermane një kartë identiteti shqiptare dhe një kartë identiteti policie.

Dyshohet se ai nuk njihej në Gjermani me emrin e tij, pasi ishte i regjistruar si Xhavit Mornica.

Gjatë marrjes në pyetje, Alibeaj ka deklaruar se ishte inspektor i Policisë Kriminale dhe punonte për Policinë në Tiranë.

Po ashtu ai ka treguar edhe një kartë identiteti italiane, sipas së cilës punonte për Ministrinë e Financave. 

Lidhur me lajmin e arrestimit, reagoi edhe Enkelejd Alibeaj, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD i cili u shpreh se gjithçka në lidhje me vëllain e tij, është shpifje dhe sulm politik i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Por nga ana tjetër, Shqiptarja.com ka zbuluar se autoritetet gjermane kanë komunikuar me "Interpol Italia", pasi Alibeaj ka patur me vete një dokument të Ministrisë së Financave të vendit fqinj. 

Çka dëshmon se ai ka qenë vërtetë i shoqëruar nga policia gjermane.  

Gjithashtu është bërë e ditur se Alibeaj është prezantuar si shtetas kosovar në Gjermani, duke dhënë një emër të rremë. 

Ndërkohë, dokumenti të cilin ka dorëzuar Taulant Alibeaj është një kod fiskal i Ministrisë së Financave të Italisë. 

Gjithashtu, Shqiptarja.com ka mësuar se Taulant Alibeaj është arrestuar nga policia gjermane në datën 5 prill 2016, në qytetin Hamm të Gjermanisë, si i dyshuar për grabitje me armë.  

Redaksia online
(L.Q/Shqiptarja.com)