Misteri i dorëheqjes së Xhafajt, 5 hipotezat e mundshme të largimit

Dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e publikuar të shtunën në mëngjes nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësimi tij me shpejtësi nga gjeneral Sandër Lleshi, ka qenë e papritur jo vetëm për gazetarët, por edhe për një pjesë të mirë të politikës shqiptare, madje sipas burimeve të “Shqiptarja.com” edhe për bashkëpunëtorët e ish-ministrit. Në një nga momentet më të mira të Xhafës në krye të ministrisë së Brendshme, pas operacionit të suksesshëm që zbuloi laboratorin e heroinës në Has dhe disa operacioneve seri me goditjen e të fortëve në të gjithë vendin, ai jep dorëheqjen nga detyra. Në pamje të parë kjo dorëheqje duket non-sens dhe deklaratat diplomatike me fjalë përgjithësuese fillimisht dhe më pas gjatë ditës e mbrëmjes së djeshme, ato me “qitje të largët” si nga Rama ashtu edhe nga Xhafa, shtojnë enigmat në këtë tablo me dy personazhe kryesorë, por me një mori të tjerë të ndërthurur në të, që shpesh nuk janë aspak në rolin e figurantit. Enigma më kryesore dhe pyetja që shtrohet gjerësisht nga opinioni është shkaku ose shkaqet që sollën këtë dorëheqje të papritur të ministrit Xhafaj.

Ajo që intrigon në largimin e ministrit të Brendshëm nga detyra ka të bëjë më shumë me shkaqet që mund ta kenë shtyrë atë drejt dorëheqjes në një moment të papritur, aq më tepër që Xhafaj duroi në mënyrë stoike “furtunën” e ngritur nga çështja “Babale”. Historia me audio-përgjimin e famshëm ku supozohej se përfshihej vëllai i tij Agron (Geron) Xhafaj, largimi më pas vullnetar i këtij të fundit në Itali për të vuajtur dënimin që kishte në shtetin fqinj, ishin momenti më delikat në krye të këtij posti, të cilin u duk sikur ai e kaloi me sukses falë mbështetjes si nga ana e Ramës, ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar.

Por nëse lexohen me vëmendje lëvizjet e fundit që kanë të bëjnë me këtë ministri kaq të rëndësishme si dhe ato në përgjithësi në ambientin politik, ku përfshihen edhe ngjarjet sensasionale të kohëve të fundit, tabloja fillon e merr formë dhe disa hipoteza për misterin e largimit të Xhafajt në mënyrë kaq të papritur nga posti i ministrit të Brendshëm mund të ngrihen.

Hipoteza 1
ESHTE DOREHEQUR TE PAKTEN NJE JAVE ME PARE

Duket se kryeministri Rama nuk është kapur i befasuar nga kjo dorëheqje, përderisa të shtunën në mëngjes kur publikon dorëheqjen e Xhafës, ai emëron gjeneral Sandër Lleshin në krye të ministrisë së Brendshme. Vendimi për emërimin e ministrit të Brendshëm, një posti kaq delikat, nuk mund të merret në pak orë, në rast se Xhafajt do t’i kishte komunikuar kryeministrit dorëheqjen të premten në mbrëmje, siç qarkullon një version. Rama ka qenë në dijeni prej kohësh për largimin e Xhafajt nga detyra dhe ka arritur në vendimin e gjetjes së pasardhësit të tij në figurën e gjeneral Lleshit, këshilltarit të tij të sigurisë. Në këtë rast largimi i ministrit Xhafaj nga detyra ka të bëjë më tepër me dobësimin e mbështetjes që ai gëzonte nga faktori ndërkombëtar, pas largimit të ambasadorit të SHBA, Donald Lu. Ish-ambasadori u largua në shtator dhe ai njihej si një mbështetës i Xhafajt, me të cilin kishte një bashkëpunim të vjetër që nga koha e hartimit të Reformës në Drejtësi. Këtij aspekti i shtohen edhe disa pakënaqësi të kryeministrit Rama, të cilat ai i ka shfaqur edhe hapur në publik ndaj punës së policisë, sidomos në dështimin e arrestimit të Kelmend Balilit. Kryeministri kritikoi hapur para pak kohe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për mosarrestimin e Balilit. Ardi Veliu është një zgjedhje e Xhafajt në krye të policisë, çka Rama e ka shprehur hapur kur ka thënë publikisht se: “Nuk jam unë që emëroj drejtorin e Policisë”. Pra pakënaqësia e mundshme e kryeministrit për punën e policisë mund të ketë sjellë edhe largimin jo aq të papritur për Ramën të Xhafajt.

Hipoteza 2
 XHAFAJ SHERR ME RAMËN

Burime mjaft të mirinformuara të “Shqiptarja.com” bëjnë me dije se largimi i Xhafajt ka qenë shumë i papritur edhe për disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në ministrinë e Brendshme. Njerëzit e kabinetit të Xhafës janë shprehur se ky largim ka qenë i papritur edhe për ata. Madje sipas tyre Xhafaj kishte planifikuar axhendën e tij si ministër deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Diçka e tillë sjell në përfundimin se Xhafaj, të paktën deri para pak ditësh as që e mendonte largimin nga detyra. Atëhere këtu del hipoteza e një debati të fortë që mund të ketë pasur mes Xhafajt me Ramën. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm duhet të kenë pasur pikëpamje të ndryshme. Arsyet e këtij debati mund të jenë të shumta, nga zhvillimet e fundit me arrestime e përgjime politikanësh deri tek ato më banalet.

Hipoteza 3
MOSINFORMIMI PER PERGJIMIN E DAKOS

Një hipotezë për një sherr të mundshëm mes Ramës e Xhafajt, është ajo e mosinformimit nga ana e ministrit të kryeministrit për përgjimin e kyebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Ka gjasa që Rama e ka marrë veshë nga mediat faktin që ekzistonin disa përgjime për një nga eksponentët e partisë socialiste dhe kjo ka ndezur debatin. Rama e ka quajtur të patolerushëm faktin se nuk ka marrë informacion nga ministri i Brendshëm për faktin se Vangjush Dako po hetohej dhe kishte përgjime që mund ta implikonin në akuza për “blerje votash”.

Hipoteza 4
LARGIMI LIDHET ME SAIMIR TAHIRIN

Një tjetër hipotezë e mundshme që qarkullon ka të bëjë me konferencën për shtyp që kishte lajmëruar ish-ministri Saimir Tahiri. Ditën e premte Saimir Tahiri paralajmëroi se do të kishte të nesërmen një konferencë për shtyp. Në media qarkulluan zëra se në këtë konferencë ish-ministri i Brendshëm do të nxirrte disa sekrete. “Pretendohet se do ta flasë të vërteta drithëruese për miqtë e armiqët”, deklaroi gazetari Lorenc Vangjeli. Por, sapo u mësua lajmi i dorëheqjes së Xhafajt, Tahiri ka anuluar konferencën. Marrëdhëniet gati armiqësore të Xhafajt me Tahirin nuk janë më sekret për askënd dhe kohët e fundit ishin shtuar zërat që flisnin për një presion të Saimir Tahirit dhe mbështetësve të tij në PS, ndaj Ramës për largimin e Fatmir Xhafajt. Largimi i Xhafajt dhe vendosja në vend të tij të Sandër Lleshit, që është një person jashtë PS-së, mund të interpretohet si një lëvizje e Ramës për të balancuar situatën në parti, duke vendosur në këtë post një person asnjëanës.

Hipoteza 5
DOREHEQJA NGA SUKSESI

Fatmir Xhafaj mund ta ketë zgjedhur vetë largimin në këtë moment. Xhafaj, për shkak të problemeve që ka pasur që nga fillimi i verës me çështjen “Babale” dhe vëllain e tij, çka i solli një sulm frontal nga opozita e mediat përkrah saj, kishte menduar largimin për të shmangur koston politike që do të merrte PS-ja. Por këtë ai ka dashur ta bëjë në një çast të volitshëm për të. Kështu në një nga momentet më të mira të Xhafës në krye të ministrisë së Brendshme, pas operacionit të suksesshëm që zbuloi laboratorin e heroinës në Has dhe disa operacioneve seri me goditjen e të fortëve në të gjithë vendin ai vendosi të jepet dorëheqjen që të largohej si i suksseshëm.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fraiku: 28/10/2018 11:29

    Xhafa iku ne kulmin e operacionit per pastrimin e ketij vendi nga bandat. Arsyeja eshte presioni qe i beri Rama nepermjet Saje Qorrit i cili anulloi dhe konferencen per shtyp. Zagari Lorenc Vengjeli beri serish rolin e kukuvajkes se Habilajve dy nete me pare. Arestimi dhe denimi i Sajmir Tahirit eshte kthyer ne emergjence kombetare. Nje bandit i droguar qe instruktohet nga Ruci per menyren, vendin dhe kohen kur te bej shantazh. Me nenshtrimin ndaj shsntazhit te Saje Qorrit dhe largimit me dinjitet te Xhafes, Rames i kane rene poturet. Ky vend po udhehiqet nga Gaz Demi, Vangjush Dako dhe nga shantazhimi i Tahirit.

    Përgjigju
  • Futja kot: 28/10/2018 09:09

    Ndaheni mendjen o njera o tjetra

    Përgjigju
  • Arbër: 28/10/2018 07:54

    Ky është një largim në një qast të volitshëm për ministrin kur arriti të shënonte golin e fitores kundër krimit të organizuar, duke mos pasur frikë nga askush! Sinjal pozitiv për qeverinë shqiptare dhe punën e saj kundër krimit të organizuar që do të vazhdojë edhe më tutje deri në fund...!!! Të gjithë ata që mendojnë ndryshe, do të gabojnë sepse tereni kundër krimit dhe korrupsionit është hapur dhe nuk ka ndalim. Zoti Xhafa nuk e pa të drejtë që të t'i kap edhe ata që ishin bashkëpunëtor të tij dikur, prandaj timonin ia kaloi tjetrit mu në kohën e duhur që intensiteti i punës mos të ndalet. Tani pritet që kjo ndeshje të vazhdojë me ofenziv edhe më të madhe. Sukseset për atdheun tim nuk do ndalen këtu, Shqipëria po ringjallet nga ai ferr që pas rënies së komunizmit!

    Përgjigju
  • bruno: 28/10/2018 07:47

    Po duket sikur po perseritet historia, nje marrje e pushtetit me dhuna nga PD.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja